Kontrolle të shtuara ndaj transportuesve, gjoba deri në 600 euro

Policia e Kosovës, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, në bashkëpunim me inspektorët e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar më 2 mars 2026 një operacion të përbashkët në terren për kontrollin e automjeteve të transportit.
Aktiviteti ka përfshirë asistimin e inspektorëve gjatë matjes së automjeteve me peshore, patrullimin në zonën e përgjegjësisë, si dhe kontrollin e automjeteve që transportojnë mallra dhe udhëtarë, përfshirë verifikimin e dokumentacionit përkatës.
Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i kontrolleve janë shqiptuar gjithsej 36 gjoba dhe fletëparaqitje për kundërvajtje të ndryshme.
Vlera e gjobave ka variuar nga shumat më të ulëta deri në 600 euro, në varësi të natyrës së shkeljes.
Masat ndëshkuese janë aplikuar si ndaj drejtuesve të mjeteve, ashtu edhe ndaj personave juridikë, përkatësisht subjekteve afariste.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e mjedisit, duke vazhduar bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët. /Telegrafi/




















































