Kongresi amerikan voton pro publikimit të dosjeve të pedofilit Epstein

Kongresi amerikan miraton projektligjin që urdhëron publikimin e të gjitha dosjeve të Epstein.
Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar pro një projektligji që urdhëron Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së të publikojë të gjitha dosjet që ka mbi të ndjerin dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein, raporton cnn.
Kongresi votoi 427-1 për miratimin e kësaj mase, ku ligjvënësi republikan, Clay Higgins nga Luiziana ishte i vetmi që votoi kundër.
Votimi filloi pak pas orës 20:00, sipas kohës sonë lokale dhe ishte e nevojshme një shumicë prej dy të tretave që ligji të miratohej.
Çfarë ndodh më pas?

Projektligji ende duhet të kalojë në Senat, ku republikanët mbajnë 53 nga 100 vendet.
Por udhëheqësi i shumicës në Senat – John Thune, një republikan – mund të zgjedhë të mos e mbajë votimin.
Nëse projektligji kalon në Senat, ai duhet të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Ky i fundit tha dje se do ta nënshkruante dhe do t’u jepte atyre “të gjitha” informacionet për Epstein – një kthim i jashtëzakonshëm i fatit për projektligjin që nga momenti kur ai arriti numrin e nevojshëm të nënshkrimeve të mërkurën e kaluar. /Telegrafi/


















































