Queens Park Rangers (QPR) ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e reprezentuesit të Kosovës U-21, Lorent Talla, te Rio Ave në Superligën e Portugalisë.  

Telegrafi gjatë ditës raportoi se mesfushori i Kosovës U-21 ka kompletuar transferimin e tij te Rio Ave, duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit.


Vetëm disa orë më vonë, ky lajm u konfirmua nga klubi anglez, i cili zyrtarizoi largimin e tij drejt Rio Aves, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Lorent Talla largohet pas tetë vitesh. Nënshkruan për Rio Ave në Portugali”.

“20-vjeçari ka qenë te Rangers që nga mosha 12 vjeçare dhe ishte pjesë e suksesit tonë në Kupën e Premier League sezonin e kaluar. I urojmë Lorentit gjithë të mirat në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e klubit anglez.

Ndryshe, 20-vjeçari ishte në bisedime edhe me klube si Metalist në Ukrainë, Sumgayit FK në Azerbajxhan dhe Riga në Letoni, por zgjodhi portugezët e Rio Aves. /Telegrafi/

telegrafi sport app