LAJMI I FUNDIT:

Komunitetet RAE në gjendje të rëndë ekonomike, presin mbështetje nga Qeveria e Kosovës

Komunitetet RAE në gjendje të rëndë ekonomike, presin mbështetje nga Qeveria e Kosovës

Komunitetet rom, ashkalinjë, egjiptian (RAE) si pasojë e krizës ekonomike dhe inflacionit, po ballafaqohen me vështirësi të mëdha elementare. Papunësia mbetet problem kyç për to. Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve thonë se kishin disa pako mbështetëse nga Qeveria e Kosovës, por që nuk mjaftojnë, mbi 90 për qind e këtyre pjesëtarëve të këtyre komuniteteve nuk punojnë.

Përfaqësuesi politik i këtyre komuniteteve, Fridon Lala tha se këto komunitete kanë më së shumti nevojë që të përfitojnë nga pakot ndihmëse të Qeverisë së Kosovës.

“Në vazhdimësi kemi parë pako të ndryshme të dala nga Qeveria në këto kohë krize dhe ngritjen e çmimeve, inflacionin e shtuar dhe normalisht që grupet me nevojë janë ato grupe që më së shumti kanë nevojë dhe përfitojnë nga këto pako. Si përfaqësues politik, përmes strukturave tona jemi duke mundësuar sa më shumë që t’i shpërndajmë thirrjet tek qytetarët dhe po ashtu përmes njerëzve tanë në terren po mundohemi që t’i asistojmë aplikimet online në raste kur ata po hasin vështirësi dhe besoj që numri i përfituesve nga secila kategori në pako të ndryshme specifike është i kënaqshëm”, u shpreh Lala.

Ai shtoi se këto pako mbështetëse nuk janë të mjaftueshme për aq kohë sa përveç mbulimit të gjërave esenciale, nuk mund të mbulojnë më shumë.

“Nuk janë të mjaftueshme për shkak se janë masat që e ndihmojnë një familje në një kohë apo afatshkurtër për shkak se dhe tek këto komunitete gjendja ekonomikë është më e vështirë sesa tek një masë më e madhe e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, prapë janë më mirë se të mos kemi asgjë, për shkak se është kohë e vështirë. Kemi familje që përfitojnë nga disa pako të ndryshme, qoftë nga studentë, qoftë nga skemat pensionale apo sociale, kështu që kemi një kombinim të mirë të pakove në mënyrë që ata t’i shtyjnë këto ditë të vështira”, shtoi ai.

Mendim të njëjtë ndau dhe drejtori i OJQ-së “Balkan Sunfloëers Kosova”, Muhamet Arifi.

Arifi thotë se edhe përkundër ndihmave të Qeverisë për këto komunitete, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’iu mbuluar shpenzimet dhe që t’ia dalin mbanë me krizën. Ndërsa siç tha ai, papunësia, mbetet problemi kyç te këto grupe.

“Shteti ka ofruar disa ndihma, pako për ata që nuk punojnë, pako ushqimore kurdo që ka qenë e mundur, mirëpo nuk ka qenë e mjaftueshme. Pakoja e fundit është pakoja e punësimit për të gjithë të rinjtë prej moshës 18-25 vjeçare, munden të punësohen për një shumë prej 260 euro. Këto komunitete nuk kanë pasur pako e cila ua mbulon shpenzimet një mujore, por së paku u ka ndihmuar që ta ballafaqojnë krizën, me gjëra esenciale. Ne jo vetëm përmes qeverisë, por edhe përmes donatorëve kemi shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, të cilat u kanë ndihmuar, por jo plotësisht, sepse papunësia është problem kyç dhe rritja e çmimeve është ngritur 50 deri 100 për qind në artikuj të ndryshëm dhe kjo po ndikon që këta qytetarë të mos kënaqen dhe të mos shijojnë të mirat si qytetarët e tjerë të Kosovës”, thotë Arifi.

Sipas tij, mbi 90 për qind e këtyre qytetarëve nga radhët e komuniteteve RAE nuk punojnë.

“Romët, ashkalinjtë, egjiptianët janë prapa tjerëve. Kur them të tjerët, flas për shqiptarët, serbët, turqit dhe boshnjakë dhe të gjitha komunitetet e tjera, sepse papunësia është e lartë. Mbi 90 për qind e qytetarëve nuk punojnë nga këto komunitete. Ndoshta këta punojnë në mbeturina, duke marrë metal, naillon, letër apo çka do që munden, dhe i shesin ato, jetojnë si të munden, punojnë në semafora, punë ditore pak me tregti. Kjo nuk është punë e qëndrueshme dhe i lë prapa. Kur nuk ka një të ardhur mujore, një të ardhur të mirë mujore, atëherë situata e tyre përkeqësohet. Një hulumtim i viteve 2014-2015, tregon që jetëgjatësia mesatare është 58 vjet. Këtu janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në jetëgjatësi, duke filluar prej ushqyeshmërisë të dobët, fjetjes, stresit, punës të rëndë, pastaj neglizhencës ose mos pasurit mundësi të shkojnë te mjeku. Të gjitha këto ndikojnë negativisht për të pasur një jetë të mirë dhe jetë të shëndoshë”, potencoi ai.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave, për numrin e saktë të përfitueseve të këtyre pakove, por që kjo e fundit deri në momentin e fundit të publikimit të lajmit, nuk është përgjigjur ndaj pyetjeve.

Ndryshe, pakoja e fundit e Qeverisë së Kosovës është ajo për “të rinjtë e komuniteteve”, e cila u bë publike ditë më parë.