Komuna ndau një milion euro për asfaltimin e rrugës "Ali Zeneli" në Mitrovicë, punimet janë afër përfundimit

Punimet për asfaltimin e rrugës "Ali Zeneli" në Mitrovicë janë në fazën përfundimtare.
Asfaltimi i kësaj rruge është një ndër prioritetet kyçe të Komunës së Mitrovicës, kështu ka thënë drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në këtë komunë, Granit Tmava, shkruan Telegrafi.
"Ne si Komunë e kemi marrë me shumë seriozitet dhe prioritet këtë rrugë. E kemi bërë hartimin detal teknik, kemi nënshkruar kontratën, kemi filluar punimet dhe tash jemi në fazën finale të hapjes së rrugës 'Ali Zeneli'", ka thënë Tmava për Telegrafin.
Në këtë pjesë të rrugës (foto si më poshtë) është segmenti kryesor që lidh rrugët: "Ali Zeneli", "Shemsi Ahmeti" dhe "Mbretëresha Teutë".

Tmava ka thënë tutje se buxheti që ka ndarë Komuna e Mitrovicës për asfaltimin e rrugës "Ali Zeneli" është një milion euro.
"Buxheti për ndërtimin dhe rregullimin e rrugës 'Ali Zeneli' ka shumën një milion euro. Është një projekt që ka zgjatur tre vite, është drejt përfundimit brenda këtij viti", ka shtuar drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Granit Tmava.
Asfaltimi i kësaj rruge, sipas Tmavës, është një problem që ka zgjatur më shumë se dy dekada.
"Kësaj pritjeje është duke i ardhur fundi. Në projektin e rrugës 'Ali Zeneli" janë të përfshirë rrjeti i kanalizimit, atmosferiku, sistemi kabllor nëntokësor, ndriçimi publik, hapësirat parkuese, hapësirat gjelbëruese dhe është një rrugë me katër korsi", ka deklaruar ai.
Tmava ka theksuar se ky projekt ka rol të veçantë për Mitrovicën, transmeton Telegrafi.
"Është një projekt që ka rol të veçantë për qytetin e Mitrovicës sepse kemi të bejmë me më shumë se 700 njësi familjare që gjenden brenda kësaj rruge, të cilat i kanë pasur sfidat e tyre nga kanalizimi dhe komplet infrastruktura. Këtyre problemeve tash po i'u vie fundi", ka potencuar drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës.
Më tej, ai është treguar optimist se gjatë stinës së verës do të përfundoj asfaltimi i rrugës "Ali Zeneli".
Ndërsa për arsyet se pse është zgjatur më shumë se 20 vjet asfaltimi i kësaj rruge, Tmava ka deklaruar se nuk kanë qenë kushtet infrastrukturore për të bërë të mundur finalizimin e këtij projekti. /Telegrafi/























































