LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Zubin Potokut mban punëtorë pa kontrata pune

Komuna e Zubin Potokut mban punëtorë pa kontrata pune

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në Komunën e Zubin Potokut së paku 7 pozita mbulohen nga persona pa kontrata të punës. Sipas Auditorit, pa kontrata janë duke punuar zyrtari i arsimit, zyrtari për buxhet e financa, zyrtari komunal për çështje gjinore, udhëheqës i sektorit në shëndetësi etj.

Plot shkelje ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Zubin Potokut.


Në raportin e Auditorit thuhet se menaxhmenti edhe pse në shkurt të vitit 2018 ka miratuar një rregullore të brendshme për strukturën organizative, për sistematizimin e vendeve të punës dhe për harmonizimin e saj me nevojat e me buxhetin e Komunës, ajo ende nuk ka filluar së zbatuari. Kjo ka ndikuar që disa pozita kyçe të mos plotësohen, shkruan më tutje “Zëri”.

“Nga shqyrtimi i 65 dosjeve të personelit ne kemi identifikuar se dokumentacioni i kërkuar me Rregullore për Dosjet dhe Regjistrin Qendror të Nëpunësve Civilë 03/2011, për 30 raste ishte i pakompletuar, ku kryesisht mungonin përshkrimi i detyrave të punës, vlerësimet vjetore të performancës etj., ndërsa në 35 raste mungonin kontratat e punës dhe nuk ka dosje të punëtorëve. Kjo pasqyron një mungesë të specifikave të qarta për stafin e Burimeve Njerëzore (BNJ) që ndërlidhen me zbatimin e kërkesave të UA-ve si pjesë e përshkrimit të detyrave të tyre të punës. Kjo ka ndodhur pasi me vonë është caktuar menaxherin për Burime Njerëzore (BNJ) dhe deri në shkurt të viti 2018 nuk ka pasur të miratuar Rregulloren e Brendshme për Strukturën Organizative”, thuhet në raport. /Telegrafi/