Komuna e Obiliqit, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ka organizuar një ligjëratë informuese në kuadër të “Tetor Rozë” – muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, përcjell Telegrafi.

Në këtë aktivitet morën pjesë gra nga komuna e Obiliqit, me qëllim të informimit dhe diskutimit mbi rëndësinë e kontrollave të rregullta dhe kujdesit shëndetësor.




Hapjen e ngjarjes e bëri drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Brikenda Pllana Mehani, e cila theksoi rëndësinë e sensibilizimit shoqëror për këtë sëmundje.

“Ndërgjegjësimi është fuqi. Në këtë muaj, që njihet si Tetori Rozë, le të jemi të gjithë bashkë në mbështetje të grave, vajzave dhe motrave që po përballen me këtë sëmundje”, tha Pllana Mehani.

Në emër të komunës, nënkryetari Ibush Mjekiqi përgëzoi stafin e QKMF-së për angazhimin e vazhdueshëm në fushën e parandalimit dhe vetëdijesimit për sëmundjet e rënda si kanceri. Ai theksoi se Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar për përmirësimin e sektorit shëndetësor dhe për mbështetjen e programeve që ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të gjirit.

Ligjëratën vetëdijësuese e mbajtën doktoreshat e QKMF-së, të cilat ndanë këshilla praktike për mënyrat e parandalimit dhe veprimet që duhet ndërmarrë në rastet e dyshimit për kancer gjiri.

Si pjesë e aktiviteteve të muajit Tetor Rozë, Komuna e Obiliqit ka mundësuar që gratë e komunës të kryejnë mamografi falas, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 13:00, në mënyrë që të lehtësohet qasja në shërbime shëndetësore dhe të rritet kujdesi për shëndetin e grave. /Telegrafi/