Komuna e Lipjanit sqaron kontratën për renovimin e dyshemeve në institucionet arsimore

Komuna e Lipjanit, përmes Drejtoratit për Prokurim Publik, ka dhënë një sqarim lidhur me kontratën publike kornizë “Renovimi dhe mirëmbajtja e dyshemeve në IEA”, me numër prokurimi: 613-25-3504-2-2-1.
Në reagim thuhet se aktiviteti i prokurimit është publikuar në platformën zyrtare E-Prokurim, e cila është sistemi i vetëm ligjor ku procedohen të gjitha aktivitetet e prokurimit nga autoritetet kontraktuese. Për këtë procedurë të hapur janë pranuar gjithsej gjashtë oferta elektronike, përcjell Telegrafi.
Sipas njoftimit, grupi i operatorëve ekonomikë të apostrofuar nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Lipjanit ka qenë ofertuesi me çmimin më të lirë, duke respektuar kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit. Procesi i vlerësimit, thekson komuna, është bërë në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregulloret përkatëse.
Lidhur me pretendimet për konflikt interesi, Komuna sqaroi se çështja është trajtuar konform dispozitave ligjore, ndërsa operatori ekonomik në fjalë ka dorëzuar të gjitha dëshmitë sipas nenit 65 të LPP-së, duke vërtetuar pranueshmërinë e tij. Gjithashtu, nuk ekziston asnjë vendim i formës së prerë që ta përjashtonte nga gara.
“Kontrata në fjalë, së bashku me njoftimet përcjellëse, procesverbalin e hapjes dhe dokumentet tjera, është publike dhe e qasshme në sistemin e E-Prokurimit, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Lipjanit”, thuhet në sqarim.
Në përfundim, Komuna e Lipjanit vlerëson se interpretimi i bërë nga kandidati i VV-së është “jo profesional, tendencioz dhe i motivuar për konsum elektoral”, duke theksuar se të gjitha procedurat janë zhvilluar në pajtim të plotë me dispozitat ligjore dhe mbi parimin e trajtimit të barabartë të të gjithë operatorëve ekonomikë. /Telegrafi/














































