Komuna e Klinës mohon planin për deponi mbeturinash te Liqeni i Sferkës

Komuna e Klinës ka reaguar ndaj shqetësimeve të qytetarëve, veçanërisht të banorëve të fshatit Sferkë, lidhur me pretendimet e përhapura se hapësira në vendin e njohur si Liqeni i Sferkës mund të caktohet si lokacion për një deponi të mbeturinave.
Në një sqarim publik, komuna ka theksuar se nuk ekziston asnjë plan apo shqyrtim për një projekt të tillë në këtë zonë.
“Me qëllim të informimit të drejtë dhe transparent të opinionit publik, Komuna e Klinës sqaron se nuk ka planifikuar dhe as nuk ka shqyrtuar ndonjëherë mundësinë e caktimit të këtij lokacioni për deponi të mbeturinave”, thuhet në reagimin e komunës.
Sipas këtij sqarimi, zona te Liqeni i Sferkës nuk është në menaxhim të komunës, por administrohet nga kompania “Boksitet e Kosovës”, e cila monitorohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Agjencia për Menaxhimin e Minierave dhe Mineraleve të Kosovës.
“Çdo veprim apo ndërhyrje në këtë hapësirë mund të realizohet vetëm me autorizimin e institucionit përkatës”, thuhet më tej në njoftim.
Komuna e Klinës ka vlerësuar se kjo zonë duhet të ruhet dhe të trajtohet si një hapësirë me potencial për zhvillimin e turizmit dhe si një atraksion për qytetarët.
“Komuna e Klinës mbetet e përkushtuar për transparencë dhe për informim të drejtë të qytetarëve për çdo çështje që lidhet me interesin publik”, theksohet në fund të reagimit. /Telegrafi/




















































