Komuna e Kamenicës ka publikuar listën përfundimtare të studentëve përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2025/2026.

Lista, e aprovuar nga komisioni përkatës pas trajtimit të të gjitha aplikimeve dhe ankesave, përfshin studentët që kanë plotësuar kriteret e rregullta të konkursit të hapur më herët.


Sipas dokumentit zyrtar, bursa prej 500 eurosh u ndahet studentëve të renditur si përfitues në bazë të sistemit të pikëzimit, i cili përfshin: notën mesatare, statusin social, kategoritë e dala nga lufta, kushtet familjare, drejtimet deficitarë dhe kritere të tjera të përcaktuara, raporton Telegrafi.

Përzgjedhja është bërë duke respektuar plotësisht rregulloren për bursat komunale, ndërsa komuna ka theksuar se dokumenti i publikuar paraqet listën finale të studentëve që do të mbështeten financiarisht për këtë vit akademik.

Komuna e Kamenicës falënderon të gjithë studentët për aplikimet dhe fton përfituesit të përcjellin njoftimet e radhës për procedurat e marrjes së bursës. /Telegrafi/