Komuna e Kaçanikut përgatitet për raste të rrëshqitjeve të dheut nëpër rrugë lokale

Komuna e Kaçanikut prej vitesh është përballur me rrëshqitje të dheut nëpër rrugë lokale në vise malore. Këto telashe kanë vazhduar edhe gjatë këtij viti në disa raste nëpër vendbanime të ndryshme malore.
Për të intervenuar me kohë, komuna tashmë ka kontraktuar një kompani e cila në kuadër të drejtorisë për Shërbime Publike do të bën edhe hapjen e rrugëve të bllokuara në çdo kohë.
Kryetari i Kësaj komune Besim Ilazi ka thënë se të gjitha rrugët lokale do të jenë të hapura me qëllim që lëvizja e qytetarëve mos të pengohet në asnjë moment.
“Përmes kontratës "Mirëmbajtja verore e rrugëve lokale" tashmë është në implementim e sipër të pozicionit të kontratës për pastrimin nga rrëshqitjet e dheut, gurëve si dhe sanimin e gropave me shtresë asfalti në rrugët lokale të komunës së Kaçanikut. Drejtoria për Shërbime Publike është e gatshme përmes kompanisë së kontraktuar do të intervenohet në të gjitha lokacionet e evidentuara nga zyrtarët përgjegjës, por edhe sipas planifikimeve vjetore të drejtorisë”, ka thënë Ilazi./Telegrafi/



















































