LAJMI I FUNDIT:

​Komuna e Drenasit me stabilitet energjetik për 30 vitet e ardhshme

​Komuna e Drenasit me stabilitet energjetik për 30 vitet e ardhshme

Vitin e ardhshëm pritet që KEDS të përfundojë komplet projektet investive të planifikuara për komunën e Drenasit dhe fshatrat e tij, dhe me këtë Drenasi do të përfitojë infrastrukturë të re energjetike dhe dyfishim të kapaciteteve.

Kostoja e gjithë këtij investim kap shumën e afër 10 milionë eurove, nga viti 2017 deri më 2022. Kjo u bë e ditur sot në takimin që u zhvillua në Komunën e Drenasit mes zyrtarëve të KEDS dhe kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci me stafin e tij.


Në komunikatën për media të lëshuar nga KEDS thuhet se kryetari Lladrovci u shpreh shumë i kënaqur për punën që ka bërë KEDS në komunën e tij dhe ndau mirënjohje për kompaninë.

“Jam mirënjohës dhe shumë falënderues për punën që po bëni dhe do të keni përkrahjen dhe bashkëpunimin tonë,” tha Lladrovci .

KEDS do të vazhdojë me punime edhe këtë vit , ku është paraparë të implementojë 25 projekte, pjesa më e madhe në fshatra, nga ku do të përfitojnë rreth 3000 konsumatorë, këtë e bëri të ditur Drejtori i Investimeve të KEDS, Hasan Oz, gjatë takimit.

“Kemi përfunduar komplet punimet në qendrën e Drenasit dhe tani do të fokusohemi në fshatra, gjithashtu fshatrat që janë me komunën e Drenasit,ndërsa furnizimin e kanë nga komunat tjera, me ketë investim furnizimi do t’ ju kthehet nga Drenasi. Kjo nuk do të ishte e mundur pa gatishmërinë dhe bashkëpunimin nga ana juaj, për çka ju falënderojmë shumë”, tha Drejtori Oz.

Ky është njëri ndër përkushtimet e kompanisë për të qenë sa më afër konsumatorëve dhe për të realizuar premtimet e dhëna.