Kompania“RAD” e lidhur me Milan Radoiçiqin, sponsor në qendrën sportive të mbyllur në veri të Mitrovicës

Një nga sponsorët e qendrës sportive në veri të Mitrovicës, e cila u mbyll pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe inspektorëve komunalë, është kompania serbe “RAD”, e lidhur me Milan Radoiçiqin si dhe Restoran "Grey".
Sipas disa fotografive të siguruara nga Telegrafi, në ambientet e kësaj qendre sportive shihet logoja e kompanisë “RAD”, e cila figuron si sponsor në ngjarjet sportive të mbajtura aty.
Në disa fotografi të publikuara, emri dhe logoja e kompanisë janë të dukshme në materiale promovuese dhe në hapësirat e brendshme të qendrës.
Ndërkaq, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, është tërhequr nga të gjitha kompanitë që kishte udhëhequr deri më tani, duke ia transferuar ato Zvonko Veselinoviqit dhe vëllait të tij, Zarko.
Ndryshe, qendra sportive në fjalë u mbyll të enjten pas një ndërhyrjeje nga Policia e Kosovës dhe autoritetet komunale.
E, pas vendimit për mbyllje të qendrës sportive nga inspektorët komunal nxënësit dhe prindërit kanë protestuar sot rreth orës 09:00 në Veri të Mitrovicës. /Telegrafi/



















































