LAJMI I FUNDIT:

Kompania ‘ABI Progres’ përkrah fermerët, fillon grumbullimin e të gjitha produkteve të kultivuara nga ata

Pavarësisht grumbullimit të stoqeve dhe vështirësive në plasimin e produkteve finale, për shkak të pandemisë COVID-19, kompania ABI Progres edhe këtë vit ka vendosur të grumbulloj të gjitha produktet e kultivuara nga fermerët dhe bujqit e Kosovës.

Ky grumbullim po bëhët për t’iu ndihmuar kësaj pjese të rëndësishme për mirëqenien e familjeve.

Lidhur me këtë, ABI Progres fton të gjithë fermerët që t’i sjellin prodhimet në kompani.

Pronari i kompanisë, Irfan Fusha thotë se kjo iniciativë po bëhet që të mos dëmtohet ekonomia e Kosovës.

“Të gjitha produktet që janë në fushat tona do t’i pranojmë. Nuk do të lejojmë të dëmtohet ekonomia e Kosovës, por edhe fermeri të mos dëmtohet. Ka një vend që ata t’i sjellin produktet e tyre, ku ne jemi të gatshëm t’i pranojmë. Ne brenda ditës mund t’i pranojmë një sasi të mjaftueshme të domateve, specave dhe produkteve të tjera”, tha afaristi Fusha.

Irfan Fusha, pronar i kompanisë “ABI”

Po ashtu, ai tha se qytetarët duhet t’i konsumojnë prodhimet vendore në mënyrë që të përkrahet ekonomia.

“Nëse dëshirojnë që qytetarët ta ndihmojnë ekonominë tonë, atëherë të konsumojnë produkte vendore. Përveç kësaj, të hapen edhe vende të reja të punës. Ku nëse një qytetar konsumon produkt vendor, atëherë ai e ka hapur një vend të punës”, shtoi ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi gjatë vizitës në ABI Progres, tha se duhet përkrahur këto iniciativa.

Pamje nga pika e grumbullimit në kompaninë “ABI Progres”

“Mesazhi i imi për konsumatorin dhe për Qeverinë është që të përkrahet kjo që vjen nga fermat tona dhe të shkoj e përpunuar me një standard të lartë edhe në tryezat tona”, tha Rukiqi.

Ai kërkoi që Qeveria e Kosovës duhet ta përkrah më shumë këtë proces.

“Konsumatori i ndihmon shumë ekonomisë së vendit, sidomos kur tani ka nevojë për një rimëkëmbje të shpejtë duke konsumuara produkte vendore, kurse Qeveria i ndihmon shumë nëse e përkrahë këtë proces. Duke e përkrahur fermerin në kultivimin e produkteve, ndërsa kompanitë që bëjnë një lloj sakrifice, duke i ofruar përkrahje në plasimin e këtyre produkteve dhe rritjen e cilësisë së këtyre produkteve”, përfundoi ai. /Telegrafi/