LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen që hap pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit

Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen që hap pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit
Foto: Arkiv

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore me Shqipërinë dhe Projektligjin për Zbatimin e Lehtësirave Doganore dhe të kontrollit të mallrave me Shqipërinë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se dy marrëveshjet thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë.


Megjithëse i dhanë mbështetje në parim, deputetët opozitarë ngritën paqartësi për teknike për marrëveshjen për sigurime shoqërore me Shqipërinë.

Madje deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e konsideroi të papërgatitur për këtë temë ministrin Murati.

Ditë më parë ministrja shqiptare e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka bërë me dije se është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve. Sipas saj, marrëveshja i përket zbatimit të lehtësimit të procedurave doganore, si dhe kontrollit të hyrjes dhe daljes së mallrave.

Kujtojmë se, Qeverisë e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë gjatë takimit të përbashkët më 26 nëntor 2021 në Elbasan kanë nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave. /Telegrafi/