LAJMI I FUNDIT:

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale kundërshton shkrirjen në në kuadër Shërbimit Gjeologjik të Kosovës

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale kundërshton shkrirjen në në kuadër Shërbimit Gjeologjik të Kosovës

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale e ka kundërshtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, i cili parasheh që KPMM të shkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.

Sipas Komisionit të Pavarur për Media dhe Minerale, një projektligj i tillë i dekurajon edhe investitorët e huaj që janë të interesuar për investime në sektorin minerar.


Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, tha se ky projektligj është në debat publik dhe parasheh që ky komision të jetë pjesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Në të cilin draft është paraparë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale të jetë pjesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht të bëhet bashkë dyzimi i dy agjencioneve apo Shërbimit Gjeologjik për miniera dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale”, tha Krasniqi.

Se një shkrirje e tillë e cenon pavarësinë e KPMM-së dhe i frikëson investitorët potencialë në këtë sektor e tha edhe kryetari i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani, sipas të cilit kjo është një shkelje e standardeve evropiane, dhe shumë parime të strategjisë minerare.

Ai madje ka thënë se hartuesit e këtij projektligji nuk kanë njohuri në sektorin minerar, andaj ka kërkuar një rishikim.

Shabani foli edhe për Ligjin për Miniera dhe Minerale, i cili ndodhet në lexim të dytë, për të cilin beson se do të rregullojë edhe më shumë çështjen e funksionimit dhe pavarësisë së këtij komisioni.

Sipas kryetarit të Bordit të KPMM-së, Shërbimi Gjeologjik i Kosovë nuk mund të japë licenca për hulumtim pasi kjo është përgjegjësi e KPMM-së.

“E kundërshtojmë në tërësi këtë projektligj pasi që ky projektligj bie edhe në kundërshtim me ligjin bazë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe Agjencive të Pavarura bie në kundërshtim me strategjinë minerare të Kosovës 2011-2025, bie në kundërshtim me pavarësinë e marrjes së vendimeve larg ndikimeve politike, frikëson investitorët serioz dhe potencial që pretendojnë të investojnë në Kosovë, de-funksionalizon në funksionimin e dy institucioneve si KPMM-në dhe Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, ulet në nivel të departamentit vendimmarrja, shkëputet lidhja me Kuvendin dhe llogaridhënia. Pra shihet qartë që hartuesit e projektligjit nuk e kanë njohur mirë funksionimin e sektorit të minierave dhe mineraleve në Kosovë”, tha Shabani.

Nga Departamenti për Miniera në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Skender Sallahu, tha se ashtu siç e parasheh ligji për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura që licencimi, hulumtimi dhe kontrolli nuk mund të bëhet në një vend.

Sipas tij, edhe aspekti i licencimit që tani e bën KPMM, nëse i kalon Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, mund të paraqesë konflikt interesi.

Sallahu thotë se ky projektligj kërkon trajtim edhe në aspektin ligjor, profesional dhe administrativ.

“Kemi parë që drafti përmban disa çështje që është trajtuar në aspekte goxha të thella derisa shkonte edhe te pozicionimi i stafit, mirëpo në aspektin e qasjes nuk e trajton mirë çështjen e sektorit për arsye se në disa raste propozon degradim , në disa raste stafin e Shërbimit Gjeologjik thotë që të sistematizohen edhe nuk e përcakton ku…Po ashtu, në aspektin e licencimit ne mendojmë që kontrolli dhe licencimi në një institucion mund të jetë edhe konflikt interesi, kështu që ne propozojmë që institucioni i cili pajisë kompanitë me licenca të jetë një agjencion i ndarë, kurse institucioni si Shërbimit Gjeologjik i cili merret me hulumtim që i bie që do pajisë Kosovën, institucionet kosovare me kualitet të të dhënave gjeologjike të jetë një institucion në vete”, tha Sallahu.

Ndryshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura është propozuar nga Ministria e Administratës Publike. /KP/Telegrafi/