LAJMI I FUNDIT:

​Komisioni hetimor për rezervat shtetërore angazhon tre ekspertë

​Komisioni hetimor për rezervat shtetërore angazhon tre ekspertë

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rezervat shtetërore ka angazhuar tre ekspertë. Hilmi Jashari është angazhuar për fushën juridike, Hasim Krasniqi, në atë të prokurimit publik, ndërkaq, Lulzim Beqiri sa i përket financave.

Anëtarët e komisionit, në mbledhje të martën u pajtuan unanimisht që nga shtatë kandidatët që kishin aplikuar, të zgjidhen tre të lartcekurit.


Anëtari i komisionit, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në emër të grupit punues për përzgjedhjen e ekspertëve, tha se Jashari, Krasniqi dhe Beqiri i plotësojnë kushtet e kërkuara nga komisioni, sa i përket hetimit në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Mes përplasjeve dhe pas shtatë tentimeve, konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore
Lexo po ashtu Mes përplasjeve dhe pas shtatë tentimeve, konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore

“Pas shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve u konstatua njëzëri se tre kandidatët i kanë plotësuar kushtet normale sipas thirrjes publike, andaj propozohen sot për votim në këtë komision, kurse katër kandidatë të tjerë nuk i kanë plotësuar kushtet normale ose teknike. Grupi i propozon komisionin angazhimin e këtyre ekspertëve: Në fushën juridike, zotëri Hilmi Jashari, në fushën e prokurimit, Hasim Krasniqi dhe në fushën e financave Lulzim Beqiri. Këta janë tre kandidatët që sipas grupit punues i kanë plotësuar kushtet”, theksoi Lekaj.

Krahas kësaj, deputetët u pajtuan që javën e ardhshme të mbahet një punëtori, sa i përket hartimit të planit punës.