LAJMI I FUNDIT:

Komisioni Hetimor: Ish-drejtoresha e KEK-ut pranon se ka marrë banesë mbi 100 metra katror në vlerë 13 mijë euro

Komisioni Hetimor: Ish-drejtoresha e KEK-ut pranon se ka marrë banesë mbi 100 metra katror në vlerë 13 mijë euro

Ish-menaxhmenti i KEK-ut për periudhën 2006-2008 kanë raportuar para Komisionit Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Ata janë pyetur nga deputetët e pozitës e opozitës për blerjen e banesave që ishin në pronësi të KEK-ut dhe importimin e energjisë dhe kompetencave që ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës.


Ish-drejtoresha Pranvera Dobruna ka pranuar se e ka privatizuar një banesë, por sipas ligjit. Ish-menaxhmenti ka pranuar se aso kohe ka pasur edhe listë të uzurpatorëve.

Anëtari i Komisionit Hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci e ka pyetur Dobrunën nëse ka marrë banesë nga KEK-u.

Bajqinovci: A keni marrë ju banesë nga KEK-u?

“E kam për juve zëvendësdrejtoreshë nëse bën të më përgjigjeni? A keni marrë banesë ju nga KEK-u, a e keni shfrytëzuar dhe në fund a e keni kthyer apo e keni blerë”, ka pyetur Bajqinovci.

Ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Pranvera Dobruna tha se kjo është pyetje tendencioze, por ka pranuar se e ka privatizuar këtë banesë të mbi 100 metrave katror me vlerë vetëm 13 mijë euro.

“Po e kam privatizuar në vitin 2013 dhe vlera ka qenë 12-13 mijë euro”, është përgjigjur ajo.

Bajqinovci ka vazhduar edhe më tej me pyetje për ish-menaxhmentin, ku kërkoi detaje nëse ka pasur persona që nuk kanë punuar në KEK, por kanë marrë banesë.

Dobruna: Unë kam marrë banesë para luftës.

Bajqinovci: A e keni blerë pastaj?

Dobruna: Po e kam blerë si të gjithë, por para luftës kam marrë banesë.

Bajqinovci: Sepse në një listë të cilën e kemi poseduar janë mbi 40 drejtorë dhe desha të dijë saktësisht se ju a keni shfrytëzuar dhe a keni blerë pas lufte?

Dobruna: Të gjithë që i kanë shfrytëzuar banesat edhe ata që e kanë marrë para luftës edhe ata pas luftës e kanë blerë sipas ligjit.

Bajqinovci: A ka njerëz që nuk kanë punuar në KEK e që kanë marrë banesë?

Krasniqi: Unë për vete nuk jam në dijeni që dikush jashtë KEK-ut ka marrë banesë, por e di që zakonisht ka qenë menaxhmenti që ka marrë një mendim të bordit, pasluftës po flas, paraluftës nuk kam informatë”, janë përgjigjur ata në pyetjet e Bajqinovcit.

Për banesat e KEK-ut ka folur edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka pyetur për listën e uzurpimeve.

“A keni pas listë tjetër të uzurpimeve të aseteve të KEK-ut dhe a keni pasur evidencë se kush janë uzurpatorët, lokale, lokale-afariste, prona, toka ose objekte të ndryshme dhe si i keni trajtuar nëse ka pasur diçka të tillë”, ka pyetur Zemaj.

Ish-drejtori financiar, Nagip Krasniqi ka pranuar se ka pasur banesa të uzurpuara.

“Po, ka pasur informata që disa banesa kanë qenë të uzurpuara edhe lokale, të cilat në atë kohë kanë qenë shumë vështirë me i realizu përmes rrugëve ligjore. Por, nëse e di saktë më vonë janë rikthyer një pjesë e tyre. Kështu, që ka pasur edhe banesa të uzurpuara në atë kohë… Po, lista ka ekzistuar nga Zyra Ligjore e Departamentit të Pronës, ka pasur informata se cilat janë banesat që janë në pronësi të KEK-ut e që nuk janë në posedim të KEK-ut”, ka thënë drejtori financiar.

Për banesat e KEK-ut, siç tha deputeti Armend Muja në vlerë prej 12 milionë euro, ka kërkuar të dijë se çfarë ka ndodhur me to gjatë kohës sa ata kanë qenë pjesë e menaxhmentit.

Krasniqi tha se në kohën e tij nuk ka pasur ndarje të banesave.

“Në kohën kur kam qenë unë drejtor financiar, nuk e di saktë numrin e banesave, por ka qenë një numër i caktuar i banesave që kanë qenë në pronësi të KEK-ut dhe të cilat kanë qenë në shfrytëzim për t’iu dhënë punëtorëve dhe menaxhmentit të KEK-ut. Në atë kohë ka qenë një problem, nuk e di pse ka ndodhur, nuk ka qenë e përcaktuar shuma e qirasë që paguhet. Dhe për atë shkak nuk ka pasur faturime, nuk ka pasur pagesë. Këto banesa kanë qenë në shfrytëzim, përderisa pronësia ka qenë e KEK-ut”, ka thënë ai para anëtarëve të komisionit.

Më tej, ish-sekretari i ndërmarrjes, Nexhat Podrimaj tha se tani ato banesa janë në pronësi private nga punëtorët dhe ish-punëtorët e KEK-ut.

“KEK-u në atë bazë ka trajtuar rreth 250 banesa. Dhe ato tashmë kanë kaluar në pronësi private, disa të tjera janë ende në konteste… Në bazë të atij ligji, në atë bazë ligjore, KEK-u i ka trajtuar ato, ka marrë kompensimin, cili ligj lejon dhe ato janë në shfrytëzim privat dhe pronësi private”, ka shtuar Podrimaj.

Derisa menaxhmenti i KEK-ut po intervistohej nga anëtarët e komisionit, deputeti Armend Muja i ka tërhequr vërejtjen ish- drejtoreshës Pranvera Dobruna.

“Unë nuk ta dhash fjalën ty, nuk ta dhashë fjalën ty, mos ndërhyjë. Vazhdo”, deklaroi Muja.

Për këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka kërkuar nga Muja që t’i kërkojë falje Dobrunës.

“Nuk pate të drejtë që iu drejtove Pranverës me atë fjalë ‘që nuk ta dhash fjalën’, sepse ti nuk e jep fjalën. Këtë komision e drejtor Hajdar Beqa dhe tu kisha lut me qenë më i sjellshëm në këtë tavolinë. Përndryshe po dalim ne të gjithë dhe po të lëmë ty vetëm nëse siellesh ashtu. Ose kërkoj falje Pranverës për atë që ju drejtove në atë mënyrë, përndryshe nëse nuk i kërkon falje unë po e lëshoj këtë panel”, deklaroi Kadriaj.

Muja theksoi se pyetjet i bën varësisht për personat që kanë qenë prezent në mbledhjen kur janë marrë vendime.

Kryesuesi i komisionit hetimor, Hajdar Beqa ka pyetur për blerjet që janë bërë aso kohe të energjisë elektrike.

“Në atë ndërmarrja KEK ka qenë me një ombrellë me menaxhimin dhe si njësi edhe prodhimi, edhe shpërndarja edhe shitja edhe blerja kanë qenë në të njëjtin ombrellë. Cili ka qenë roli i juaj në sigurimin e energjisë për konsumatorët, që lidhet me këtë pyetje, a ishte kërkesë e juaj apo e ndërkombëtarëve, në këtë rast UNMIK-ut dhe menaxhmentit të deleguar nga këta, blerja e energjisë elektrike. Si e keni bërë zgjidhjen për furnizim me energji për konsumatorët”, ka pyetur Beqa.

Ish-drejtoresha, Pranvera Dobruna tha se detyrë e saj ka qenë që të bind delegacionet që Kosova është e denjë me qenë e pavarur në emër të resurseve që i ka.

“E kemi pasur edhe një obligim që t’i bindim të gjithë që ne mundemi me qenë të pavarur. Në këtë kuptim duket që kam pasur vetëm një përgjegjësi si drejtor menaxhues, por kemi pasur shumë delegacione, shumë koka mbi ne, nën ombrellën e UNMIK-ut në të cilat është dashur me punu edhe me i koordinu donacionet. Kemi pasur shumë donacione dhe në atë kohë është menduar që të largohesh prej donacioneve me reform sektorin edhe me pas investime. Kjo ka qenë ai treshi të cilën ne e kemi përcjellë. Me një 1 korrik 2006, KOST nuk ka qenë më pjesë e KEK-ut dhe prej 1 korrikut 2006, KEK-u e ka pasur prodhimin e thëngjillit, prodhimin e energjisë elektrike, shpërndarjen dhe furnizimin. Në atë kohë është aplikuar edhe skema ABC, e cila i ka ndarë konsumatorët e kategorisë A, ata që nuk po duan të ç’kyçen, konsumatorët në kategorinë B-ata që paguajnë dhe konsumatorët në kategorinë C-ata që nuk paguajnë”, ka thënë ajo.

Po ashtu, ka shtuar se importi i energjisë elektrike ka qenë pesë për qind.

“Importi ka qenë mjaft i vogël, në atë kohë ka qenë 5 deri 6 për qind. Nuk ka qenë shumë i madh, por balancimin e kemi bërë me ABC. I kemi reduktuar ata që nuk kanë paguar. Kjo ka qenë mënyra se si ne e kemi menaxhuar, fatkeqësisht ashtu ka qenë. Gjërat prej tash 15 vjet prapa duken pak më ndryshe. Në atë kohë i kemi pasur këto blloqe ekzistuese, 15 vjet më të reja. Prandaj edhe besueshmëria e blloqeve ka qenë shumë më e mirë edhe kemi mund në bazë të bilancit energjetik me dit cilat blloqe kanë me qenë në punë edhe kemi mund të bazohemi në ato blloqe që kanë punuar për të kaluar sezonin, posaçërisht dimrin”, ka shtuar Dobruna.

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni hetimor, deputeti Armend Muja ka pyetur edhe për transaksionet që janë realizuar për blerjen e energjisë me një bashkëpunëtor të Sllobodan Millosheviqit.

“Në bazë të bilancit të energjisë që kemi marrë nga KOST ndërmjet 2006-2008, vërehet që ka pasur një transaksion goxha të madh, ose të vazhdueshëm ndërmjet KEK-ut, institucioneve të tjera të blerjes së energjisë dhe të EFT Group. EFT Group është ndërmarrja e Vukamoviq që ka qenë bashkëpunëtor i Millosheviqit, ndërmjet vitit 2006 dhe vitit 2009. Çka dini ju në atë kohë dhe a ju ka ra juve ndonjë propozim për vendimmarrje në lidhje me blerjen e energjisë dhe shitje të energjisë për EFT Group ndërmjet 2006-2008”, ka shtuar Muja në këtë komision.

Ish-drejtori financiar në KEK, Nagip Krasniqi ka pohuar një gjë të tillë.

“Në dhjetor të vitit 2006, deri atëherë ka qenë një kontratë për importin nga Bullgaria, nga termocentrali atomik, i cili është mbyllur me datën 30 dhjetor. Dhe pas asaj kemi pasur mungesë të energjisë elektrike, në kuptim të plotësimit të kërkesave. Nuk më kujtohet saktë nëse ka qenë viti 2006 apo viti 2007, por e di që kemi pasur importe edhe nga këto kompani që përmendët. Jo vetëm këto, por edhe tjerat, por pjesa ime ka qenë vetëm në anën financiare ku kam bërë sigurimin e garancioneve bankare edhe financimit të nevojshëm. Por, importi, blerja e energjisë, kontraktimi ka qenë pjesë në Departamentin e Zyrës për Furnizimin me Energji”, është përgjigjur ai.

Më tej, Muja ka vijuar me pyetjet edhe për vlerën e aseteve të asaj kohe.

Muja: A ju kujtohet ky dokument?

“Vlera e aseteve të distribucionit të energjisë së KEDS-it, nëse do të ishte ndërtuar e re, ka qenë 562 milionë euro. Në ndërkohë që vlera aktuale është 239 milionë euro. A dëshironi ta shihni këtë dokument, a ju kujtohet ky dokument”, ka pyetur Muja.

Para anëtarëve të komisionit u tha se ky dokument është bërë para vitit 2006.

Ish-drejtori financiar i KEK-ut ka thënë se ky dokument ka qenë i periudhës para kohës sa të ishte në pozitë.

Udhëheqësit e menaxhmentit të asaj kohe kanë thënë se Nermina Rapi, Sherife Avdyli, Ramiz Agushi dhe Bekim Ahmeti janë marrë në atë periudhë me tregtimin, blerjen e energjisë dhe kontraktimin.

Nga anëtarët e Komisionit Hetimor janë pyetur edhe ofertuesit kryesor për import të energjisë elektrike, por ata kanë thënë se nuk u kujtohet se kush kanë qenë, raporton KP/Telegrafi/