LAJMI I FUNDIT:

Komisioni i Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë miraton në parim projektbuxhetin e vitit 2024

Komisioni i Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë miraton në parim projektbuxhetin e vitit 2024

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë ka miratuar sot në parim projektbuxhetin e vitit 2024 me 10 vota pro. I pranishëm në mbledhje ishte edhe ministri i ekonomisë, Ervin Mete.

Në komision u prezantuan edhe raportet e komisioneve të tjera, dhe kërkesat e bëra nga 13 institucione për rishikim të shpenzimeve të tyre apo për fonde shtesë.


“Komisionet kanë sjellë pranë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave raportet për shqyrtimin në parim të projektbuxhetit. Të gjitha komisionet e kanë miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2024, disa prej tyre kanë paraqitur kërkesa për ndryshime dhe njëkohësisht shtesa në buxhetin e ministrive, institucioneve dhe fushave specifike që ata mbulojnë. Janë paraqitur kërkesa për ndryshime në projektbuxhetet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bujqësisë, Turizmit, Mbrojtjes, Akademia e Shkencave, Drejtoria e RTSH, ATSH, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Drejtorisë e Përgjithshme e Arkivave, Drejtorisë e Përgjithshme e Burgjeve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe ka një kërkesë edhe nga Kuvendi,” – u shpreh deputetja e PS Antoneta Dhima.

Ministra e Infrastrukturës ka kërkuar një shtesë buxheti për programin e energjisë elektrike, për të cilin në projektligjin e buxhetit 2024 shpenzimet e planifikuara janë 3.24 miliard lekë me një ulje prej 370 milion lekë, krahasuar me buxhetin 2023.

Për këtë sektor, Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar shtesë fondesh prej 6 miliardë lekë, prej të cilave 5 miliard lekë për shoqërinë KESH sha, me qëllim menaxhimin e efekteve 8 mundshme të çmimeve në tregjet e energjisë për vitin 2024 dhe çfarë do të pasojë në vazhdim me situatën e motit, si dhe 1 miliard lekë për shoqërinë Albgaz për projektin “Gazsjellësi Fier-Vlorë që do të lidhet me gazsjellësin TAP dhe që është pjesë e gazsjellësit IAP.

Edmond Spaho, i vetmi deputet i pranishëm nga opozita, votoi kundër buxhetit të vitit 2024, duke qëndruar në një linjë me opozitën, e cila po ashtu nuk është dakord.

Buxheti i vitit 2024 do të ketë në total për të shpenzuar rreth 735,9 miliardë lekë (rreth 7 mld euro), mbi një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm. 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh. /Telegrafi/