LAJMI I FUNDIT:

Komediani i BBC-në, për një dokumentar në Shqipëri (Video)

Komediani i BBC-në, për një dokumentar në Shqipëri (Video)

Komediani Romesh Ranganathan, ka shkuar në Shqipëri për të realizuar një dokumentar. Shqipërinë e mendonte si të varfër dhe depresiv, por shton se shqiptarët janë më të kujdesshëm se britanikët.

Ranganathan ka marrë shumë çmime në vendin e tij. Ishte pjesëmarrës në shumë programe televizive dhe shfaqje të lidhura me humorin. Prej vitesh realizon një program në rrjetin BBC. Tashmë ka nisur një tjetër tur për të eksploruar vende të panjohura e për të dhënë përshtypjet e tij. Përpara se të niste karrierën si komedian, Ranganathan ka qenë një reper i njohur si Ranga. Ai ka studiuar për matematikë në Universitetin e Londrës dhe e ka ushtruar profesionin e arsimtarit të matematikës.


• Pra, cila është arsyeja që ndodhesh këtu?

Arsyeja pse jam këtu është se dua të zbuloj pse britanikët nuk vijnë në Shqipëri për pushime, sepse të them të vërtetën, unë nuk njoh ndokënd që ka ardhur këtu me pushime.

• Me të vërtetë?

Po dhe Shqipëria nuk është pra një vend tipik që vizitohet nga britanikët. Ndaj kam ardhur që të zbuloj nëse kjo gjë është e justifikuar apo Shqipëria në fakt është një vend që njerëzit duhet ta vizitojnë.

• Sa do të qëndrosh këtu?

Rreth një javë.

• Vë bast që mund ta ndryshoj mendjen tënde në një javë. Ky vend ia vlen që të vish ta shohësh e ta vizitosh. Më beso.

Që ta dini, nuk jam njeri që impresionohem lehtë. Kam përjetuar momente të vështira në jetë dhe nuk gëzohem kollaj. Pra do të jetë e vështirë që Shqipëria të më bindë, por jam mendje hapur. Zakonisht britanikët zgjedhin të shkojnë në Portugali apo Spanjë, që janë destinacione tipike për pushime.

• Ose mbase në Greqi, por kjo ndodh sepse britanikët nuk i kanë parë ende plazhet tona. Është më bukur se në Greqi, më beso. Ne kemi ende plazhe të virgjëra që janë të mrekullueshme

Jo realisht, më duhet të jem tërësisht i sinqertë. Paragjykimi im për Shqipërinë ishte që ky është një vend ish komunist dhe duke e lidhur me këtë, e mendoja si një vend gri, ku nuk ke shumë gjëra për të parë dhe mbase të dëshpëruar.

• Pra e mendoje të shëmtuar.

E di, por është hamendësim dhe besoj jam i gabuar, por nëse më pyet se cili ishte imazhi që më vinte ndërmend kur përmendet Shqipëria, ishte pikërisht ky i një vendi gri, depresiv, po, njerëz të varfër. Pra këto gjëra kisha në mendjen time. Por jam shumë i hapur që ta ndryshoj këtë mendim. Dhe më duhet të jem i sinqertë, edhe sot, megjithëse kam vetëm pak orë dhe shkova të shihja Piramidën, një strukturë interesante.

• Diçka që të gjithë e shohin apo duan ta shohin.

Por ndërsa shkoja, humba rrugën dhe vura re diçka. Këdo që pyesja ishte shumë i sjellshëm. Megjithëse që të jem i ndershëm, kur i afrohesha, në fillim ata mendonin se mos do t’i grabisja. Por kur e kuptonin që po i pyesja se ku ndodhet Piramida, njerëzit ishin shumë më të gjendur se sa në Britaninë e Madhe dhe shumë miqësorë. Madje një grua nuk kuptonte se çfarë po thoja, ndaj ajo mori dikë tjetër duke i thënë: a mund t’i flasësh pak këtij djalit dhe më pas më shoqëroi deri te Piramida. Ishte e jashtëzakonshme. Në Britaninë e Madhe, kjo nuk do të ndodhte. /Shqiptarja/