LAJMI I FUNDIT:

Kombëtarja, si maskë për të grabitur kampionatin kombëtar!

Kombëtarja, si maskë për të grabitur kampionatin kombëtar!

Suksesi historik i ekipit Kombëtar të Shqipërisë, është i panatyrshëm dhe nuk mund të jetë jetëgjatë, nëse ne nuk ndërtojmë një kampionat të denjë futbolli në Shqipëri. Suksesi i derisotëm i dedikohet trajnerit italian Xhani De Biazi dhe lojtarëve të talentuar në shumicë nga Kosova, të rritur në Perëndim, që përfaqësojnë në ekipin tonë ngjyrat e flamurit shqiptar, por vlerat e futbollit evropian.

Që ekipi ynë kombëtar të jetë i sigurt, i matshëm, i llogaritshëm dhe i parashikueshëm si ekip serioz, ai duhet të mbështetet mbi vlerat e kampionatit tonë kombëtar, i cili siç po del dhe nga raportet e fundit të UEFA-s, është tërësisht jashtë çdo standardi.


Vetëm ekipi kampion ka trukuar mbi 50 ndeshje dhe është bërë i tillë falë mbështetjes financiare, politike dhe imunitetit për të mos u ndëshkuar përballë trukimeve.

Kjo ka bërë që shqiptarët të boshatisin stadiumet dhe lojërat e kampionatit tonë kombëtar, të jenë objekt kureshtjeje, vetëm për bastexhinjtë dhe presidentët e klubeve. Futbollistët janë katandisur në disa të punësuar që paguhen nga llotot e lagjeve, ndërsa presidentët në shumicë janë biznesmenë problematikë, që i përdorin klubet për të justifikuar dështimet e tyre në biznese dhe pastrim parash.

Skandali i trukimeve dhe qetësia me të cilën opinioni publik e shikon këtë skandal, tregon se tifozët shqiptarë kanë hequr dorë nga shpresa për të pasur një kampionat kombëtar.

Dhe e vetmja gjë ku kuptohet qartë kjo, është kur luan ekipi kombëtar. Ekipi kombëtar mbush stadiumet dhe tifozët e kanë ndjekur si rrallë ndonjë ekip tjetër, deri në Francë, ndërsa të njëjtët tifozë, nuk denjojnë të shkojnë në mes të Tiranës në stadium gjatë kampionatit kombëtar.

Kjo, pasi Federata Shqiptare e Futbollit ka investuar që ta përdorë ekipin kombëtar, si kartolinë suksesi, për të maskuar dështimin e kampionatit kombëtar dhe kthimin e tij, në një bastore të madhe të krimit të organizuar në Shqipëri.

Thuajse gjithë ekipi kombëtar përbëhet nga talente që luajnë në Perëndim dhe në shumicë nga Kosova, dhe kampionati kombëtar përfaqësohet në ekipin kombëtar, sikur të jetë pakicë etnike, me një ose dy lojtarë, dhe ata falë talentit të tyre personal, ende pa u blerë nga ndonjë ekip i huaj.

Braktisja e stadiumeve dhe institucionalizimi i basteve si e vetmja arsye përse presidentët e falimentuar në bizneset e tyre, udhëheqin ekipe futbolli, i jep përgjigje gjithashtu dhe fodullëkut të Federatës Shqiptare kundër lojtarëve që ikën të luajnë me Kosovën, pas formimit të ekipit të saj kombëtar. Për Federatën ka shumë rëndësi të krijojë imazhin e një suksesi përmes një ekipi kombëtar që nuk është meritë e saj dhe të mbulojë kështu dështimin më të thellë që ka pasur ndonjëherë kampionati shqiptar i futbollit, me stadiume të boshatisura, ndeshje të shituara, rezultate të fiksuara, përzierje të politikës me krimin, të evazionit me votën dhe të bizneseve personale në konflikt interesi me sportin.

Përpjekja për t’u dukur që kemi ekip kombëtar për të fshehur mungesën e kampionatit kombëtar, është një argument tjetër, se ata që e shkatërruan futbollin shqiptar, kanë pasur të qartë planin dhe si ta fshihnin krimin. Ata po përpiqen të fshihen pas suksesit të De Biazit dhe futbollistëve shqiptarë të Perëndimit, për të cilët nuk kemi asnjë meritë, përveçse herë pas here i turpërojmë me lajme të tilla nga atdheu i tyre.