LAJMI I FUNDIT:

Kolonizimi i dhunshëm serb i fshatrave të Runikut

Kolonizimi i dhunshëm serb i fshatrave të Runikut

Si i mashtronte pushteti i Serbisë, ata që i sillte në Kosovë?

Për fat të zi, trevat shqiptare edhe gjatë pushtimit osman, edhe pas pushtimit serb, ishin viset më të prapambetura ku nuk ndërtohej asgjë. Të rrallë ishin ata kolonë që përfitonin diçka të mirë kur u vendosën në Kosovë. Fillimisht, ata e dinin se me shqiptarët do të jenë armiq për vdekje.

Në valën e dytë të kolonizimit, pushteti i Beogradit me propagandë mashtroi shumë serbë të mjerë, të varfër e të pa kulm mbi kokë. Ata i vendosnin kudo, mes shqiptarëve, ku nuk kishte as rrugë, as ujë e as gjërat më elementare. Dikujt i duket tallje, por në shumë raste këta serbë pushteti i Beogradit thjeshtë i la pa kulm mbi kokë. Ka dëshmi se si jetuan ata dhe se si ikën – në rastin e parë që patën mundësi.

Shihej hapur qëllimi për të futur elementin sllav mes shqiptarëve. Për shembull në Kostërc e në Leqinë, jo fort larg Runikut, kolonët u vendosën thjeshtë nëpër shkurre e përrenj, pa gjërat elementare për jetë, në një vend pa asnjë rrugë – as për gomar. Sa për kujdesin shëndetësor, zor që dikush do të ketë parë atë në ëndërr.

Gjithë këta kolonë pushteti kriminal i Beogradit i mashtronte me premtime të mëdha, të cilat u shuan shpejt. Kolonët jetonin zi e më zi, sikur shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre. Pushteti u premtoi ndërtimin e shtëpive, por ato nuk i panë kurrë as në fotografi. Iu premtoi ndihma ushqimore dhe ndërtimin e rrugëve, por ato nuk u shtruan kurrë.

Derisa kolonët merrnin tapitë për tokat që iu kishin ndarë, pakkush prej tyre do të ketë ndjerë gëzimin kur shihte turmën shqiptare të pezmatuar.

Pjesa dërmuese e kolonëve u la nëpër bërraka e në kasolle të improvizuara. Pati raste kur komisioni agrar i krajlit shumë kolonë i la në, male me premtimet se atje shpejt do t’ua ndërtojnë shtëpitë dhe rrugën. E, mund ta paramendoni se si ndërtohen shtëpitë atje ku nuk depërtohej as me gomar.

Ma kalimin e kohës, kolonët më nuk i vizitonte askush nga pushteti. Në anën tjetër, Xhandarmëria krijonte probleme, me plan, për të intervenuar dhe për të vrarë shqiptarët me pretekst të ngacmimit të kolonëve.

Raportet e kryexhandarit nga Runiku dëshmojnë për vrasjet e shqiptarëve. Ekipet e specializuara vëzhgonin çdo mënyrë të mbijetesës së shqiptarëve dhe, sipas këtyre hetimeve, zgjidhnin metodat e dhunës. Për këtë ai shkruante:

“Në ndërkohë kemi kuptuar se arnautët janë në gjendje që me pak vegla primitive të ndërtojnë gjëra të mrekullueshme që ne nuk i kemi parë kurrë më sy. Nga ato ara të vogla të cilat i punojnë mirë, nxjerrin bukën. Nuk hanë për t’u ngopur asnjëherë, por vetëm për të mbijetuar deri nesër. Ushqehen shumë herë me fruta pemësh të egra dhe shartojnë përditë pemë të reja nëpër mal. Kjo trevë në çdo pëllëmbë ka pemë të egra, të të gjitha llojeve. Ata grumbullojnë fruta te egra në kohën e duhur dhe me to ushqehen gjatë dimrit. Gjatë gjithë kohës ia dalin të mbijetojnë gati më mirë se kolonët serbë të cilëve ua kemi premtuar edhe ndërtimin e shtëpive, por kot”.

Jo pak herë raportet nuk ishin optimiste fare. Ndodhi që vet komandanti i Xhandarmërisë të kërkonte leje për bashkëpunim me shqiptarët vendas pasi, sipas tij, kështu do të vendosej me lehtë qetësia aq e nevojshme për kolonët. Këtë e dëshmon raporti tjetër:

“Po të bashkëpunojmë ma ta, do të fitonim shumë. Ata janë punëtorë të mirë dhe të fuqishëm. Kemi parë sesi dy burra, pasi nuk kishin kije për zgjedhë, po tërhiqnin vet parmendën dhe po lëvronin parcelën e tokës që kishin hapur rishtazi. Kemi parë ngjitur, në zgjedhë, një kalë dhe një njeri duke tërhequr plugun në arë, derisa tjetri mbante plugun. Kemi parë të tjerë që me një shat a lopatë bëjnë gati për mbjellje një arë të tërë. Po t’i marrim me të mirë, ata mund të punojnë arat që ua kemi kolonizuar. Ka shumë kolonë që nuk dinë të punojnë asgjë dhe vetëm presin ndihma. Iu kemi dhuruar armë të gjithë kolonëve por, ata, tinëz ua kanë shitur ato arnautëve. Këtë e kemi parë me sy tanë. Pasi njëfarë arnauti vrau dy xhandarë, arritëm ta vrasim atë, e kur e morëm armen e tij zbuluam se ajo ishte e një koloni të cilin e kemi vendosur këtu para pak kohësh. Thjeshtë e qartë, asgjë nuk po funksionon siç kemi planifikuar”.

Edhe kur askush nga shqiptarët nuk i ngacmonte kolonët, kjo shihej si rrezik më i madh. Pushteti serb ndjente frikë nga qetësia. Ditari i komandantit të Xhandarmërisë e dëshmon këtë! Ai shkruan:

“Ata asnjëherë nuk i ngacmojnë kolonët dhe kjo na brengosë edhe më shumë. Nëse një kolon kërkon diçka prej këtyre arnautëve, ata ia japin pa përtesë. Këto gjera atyre po iu ndihmojnë për të zbutur zemërimin tonë dhe po ia dalin të thyejnë planet tona për shfarosjen e tyre. Mund ta merrni me mend sesi jeton njëfarë arnauti invalid me të shoqen dhe shtatë fëmijë në një kasolle. Me kërraba lëvizë e punon gjithë ditën. Nuk kemi arritur ta kuptojmë kush po e furnizon me miell, pasi e dimë me siguri se ai nuk ka për të gatuar qoftë edhe një bukë për darkë. Ne po kujdesemi që të pengojmë edhe ndihmat mes tyre, por e kemi të pamundur. Ata nuk pushojnë as natën as ditën, as në dimër as në verë”.

Raporti tjetër nuk sjell asgjë të re nga zbatimi i planit për largimin e shqiptarëve! Posa vërehej që ndonjë shqiptarë ndërton diçka me vlerë, kolonët prisnin çastin për ta vrarë. Kështu, Ukë Ali Nimani, pasi ndërtoi me mund një kullë të vogël guri, u bë cak sulmi nga kolonët. Pakkush besonte se do ta godasin aq shpejt, pasi Uka akoma nuk e kishte meremetuar shtëpinë në të cilën shpresonte të jetonte. Atë ditë, kur e morën nga shtëpia Ukën dhe Brahimin, i panë të gjithë fqinjët. Bile, kolonët serbë, Ratku e Shuta, mashtruan Ukën dhe Brahimin kinse po i thërrasin në stacionin e Xhandarmërisë në Runik. Posa i larguan nga shtëpia, i pushkatuan.

Është më rëndësi edhe kronika e vrasjeve të njëpasnjëshme të shqiptarëve, pikërisht nga kolonët, të cilët vepronin në koordinim të plotë më Xhandarmërinë serbe. Në kronikë shkruan:

“Kolonët e vendosur në arat e Osman Ajet Halilit, Ratko e Shuta, vranë Ukën e Brahimin, ashtu siç i urdhëruam, por ata nuk guxuan të jetojnë më aty dhe ikën të nesërmen, para mëngjesit”.

”Kolonët, me plan sulmuan edhe familjen e Fekë Nimanit. Aty dërguan Stanojën për të përgatitur terrenin, por kolonët vranë gabimisht pikërisht Stanojën, pasi Feka nuk ua hapi derën e kasolles ashtu siç kishim paraparë për ta vrarë gjithë familjen”.

“Kemi arrestuar një rebel fare të ri në Qubrel. Xhandarmëria u tregua fare e pakujdesshme, dhe posa e sollën në stacion e lanë të lirë, pa pranga. Ai, pastaj, për një minutë rrëmbeu pushkën që ishte në tavolinë dhe vrau zëvendësin e komandantit të Xhandarmërisë, Nikollën. Rrustem Birinxhiku ia doli edhe të arratisët në mal”.

“Sinan Shala nga Leqina ka vrarë një paramilitar kolon. Pasi grupi i kolonëve të armatosur kishte tentuar të vriste arnautin në shtëpinë e tij, doli se ai kishte pasur armë dhe sulmi ynë përfundoi keq. Edhe Sinani u arratisë atë natë”.

“Numri i kaçakëve po shtohet përditë! kolonizimi nuk po ecë si duhet, sidomos në Padalishtë dhe Leçinë”.

“Arnautët e Padalishtës kanë shtëpitë pranë rrugës me të cilën kemi lidhjen Mitrovicë -Pejë. Sapo goditëm familjen e parë afër rrugës, rezistoi Sylë Loshi. Atë e arrestuam, por kur shkuam t’i largojmë të tjerët nga shtëpia, një vajzë e tyre vrau në derë një xhandar. Atë ditë Sylën e arrestuar, e dënuam me varje në litar, mu para syve të të burgosurve tjerë në Runik”.

Me kalimin e kohës, duke parë zhvillimet në terren, pushtuesi serb nisi të punësojë edhe ndonjë shqiptar në detyrë xhandari, për të kuptuar më mirë çdo lëvizje dhe furnizim solidar me fshatarëve, por kot. Kur prisnin që shqiptarët të vdisnin nga uria, në sytë e armikut shumoheshin edhe më tepër. Plani i shfarosjes, duke filluar nga vrasjet, torturat, dhe konfiskimi i çdo pasurie të tyre, nuk po jepte rezultat. Në raportet e Xhandarmërisë përditë e më shumë theksohej nevoja për bashkëpunim me shqiptarët vendas. Këtë e vërtetojnë njoftimet në vazhdim:

“Informatori ynë, ‘Plisi’, na njoftoi se në kasollen e Mujës, natën ka parë një dritë. Ai kishte vërejtur sesi gatuajnë natën bukë, para se të lindte dielli, për të mos i parë askush”.

“Ne, zotërinj nga Beogradi, nuk mund të bëjmë roje në çdo kasolle a shtëpi të arnautëve kur gatuajnë. Ato që ju i quani shtëpi janë vetëm kasolle, thuaja të lëvizshme, të ndërtuara me dru mali dhe dushk. Nëse i shohim sot në një vend të caktuar, pas pak ditësh shkojmë të përgatitur për të zbatuar planin tonë, por nuk i gjejmë aty. Posa diktojnë lëvizjet e Xhandarmerisë, largohen sikur t’i ketë përpirë dheu. Nuk gjejmë as gjurmë të tyre nga kanë shkuar. Ata ndërtojnë kasolle, lehtë dhe shpejtë. I mbulojnë me dushk, ashtu që nuk dallohen fare nga mali. Sipas nevojës, apo rrezikut, ato kasolle i shkatërrojnë apo i djegin vet dhe zhdukën diku tjetër. Ekspeditat tona vetëm sa i kanë forcuar”.

Komandanti i Xhandarmërisë njofton eprorin e tij për çdo gjë që bëjnë kolonët. Për këtë shkruan:

“Iu njoftojmë se ‘kmeti’ i katundit, Dika, të cilin e keni emëruar ju, po jeton mirë dhe sipas vëzhgimeve tona ai po bashkëpunon haptazi me arnaut”.

“Dika, të cilin e kemi vendosur në këtë fshat, po jeton më mirë se gjithë kolonët tjerë. Ai flet me arnautët dhe ata ia punojnë arat me kohë. Arnautët ia ndërtuan kullën dykatëshe nga guri, duke ia rrethuar edhe oborrin me avlli. Xhandarmeria nuk ka çka i thotë Dikës, dhe as nuk e pengon dot. Dika lëvizë me kalë kudo dhe nuk e ruan askush. Kemi fituar bindjen se ai bashkëpunon me këtë ‘Plisin’. Në hanin që e mban Zhivko në Runik, dje kemi parë të ketë hyrë vet ‘Plisi’. Nuk dihet a piu diçka, por dyshojmë mos ka marrë diku ndonjë dinar. Nuk zbuluam dot pse erdhi në hanin e një koloni serb, të cilin që të gjithë e njohin për vepra të këqija. Ne po ligemi çdo ditë. Asnjë dhunë e jonë nuk po jep rezultat”.

Pas shumë raporteve me shkrim, në të cilat përshkruheshin edhe detajet më të imta të zhvillimeve në terren, vet perfekti i Zveçanit shkarkoi komandantin e Xhandarmërisë në Runik! Perfekti emëroi komandantin tjetër që do të mbahet mend gjatë për dhunën që ushtroi mbi shqiptarë në shumë fshatra të kësaj ane.

Komandanti me emrin Millan, nisi detyrën me dhunë. Akuzoi shumë vendas për armëmbajtje pa leje. I mori një nga një në stacionin e Xhandarmërisë, por edhe pas torturave më të rënda nuk mposhti dot edhe një fshatar. Millani ka shkruar:

“Qetësia që mbretëron në rrugë na frikëson shumë. Nuk e dimë kurrë se çka do të ndodhë nesër. Pas vrasjeve që ndodhin çdo ditë, as kolonët nuk po guxojnë të dalin në ara, aq më pak në mal për dru”.

“Sipas planit, patëm arrestuar shumë kaçak, por këtu nuk kishim ndonjë burg të sigurt. Nga burgu i Runikut iku vet Azem Bejta e Mehmet Gradica. Kamer Loshin nuk arritëm ta burgosim. Ai jeton në mal. Asokohe nuk i vlerësuam si duhet dhe nuk dinim sa mund të jenë të rrezikshëm. Para tyre, nga burgu i Deviqit iku vet Shaqir Smaka nga Kostërci, i cili më vonë formoi edhe çetën e tij kryengritëse”.

Pas këtyre raporteve, eprori shkarkoi edhe Millanin. Raporti tjetër fillon me njoftimin për vrasjet tjera:

“Azem Bejta vrau Kostë Vojvodën. Ai Kosta, njeriu që punoi me direktivën tuaj, po bënte zullum të madh mbi arnautët. Nuk kam pasur urdhër ta kufizojë. Ai, edhe nga fshatari më i varfër arnaut, kërkonte dash të pjekur për drekë, që duhej ta shtronte vetëm për Kostën. Zullumin e ka shtuar edhe më tepër veprimi i lirë i Pop Guxhumit. Ai po futet në pikë të ditës nëpër kasollet e arnautëve. Nuk besoj se e ka larg vdekjen nga ndonjë arnaut”.

“Qëkur është arratisur nga burgu, nuk mund të kuptojmë kurrë se ku strehohet apo ushqehet Azem Bejta. Zor të gjendet një arnaut që tregon konakun tij. E dimë se ai nuk fle dy herë në të njëjtin konak. Me këtë taktikë, papritur likuidoi vet Kostë Vojvodën. Nuk bëri shumë bujë kjo vrasje, pasi edhe kolonët ishin lodhur nga dhuna që bënte Kosta, e cila i rrezikonte edhe ata. Sa më shumë dhunë që po bëjmë mbi arnautë, aq më shumë po shtohet pasiguria e kolonëve”.

Më gjithë këto raporte të zeza për Qeverinë serbe, plani i vrasjes së shqiptarëve po vazhdonte, krahas vendosjes së kolonëve.

“Në arat e Gan Halilit në Kostërc, vendosëm dy familje kolonësh. Ratko e Shuta kanë filluar menjëherë të punojnë. Në tokën e Hysenajve vendosëm Dikën, të cilin ju më parë e keni emëruar ‘Kmet’ për këtë fshat. Hysenajt nuk u përulen, por janë pezmatuar shumë. Nuk ka sulme, por lëvizjet dhe heshtja e arnautëve na brengosin. Komisioni për ndarjen e tokave po punon err e terr. Deri tash në këtë fshat nuk ka pasur rezistencë fizike. Në arat e Selman Kadrisë vendosëm tri familje. Po thonë se i zoti i shtëpisë ka dal në mal i armatosur. Në fshatin Kostërc dihet saktë edhe sot se cili kolon u vendos në tokën e cilit shqiptar”.

Raporti tjetër nga xhandarmëria, e dëshmon vendosjen e kolonëve me emra e mbiemra. Në këtë njoftim thuhet:

“Dika Jovanoviq, tash si ‘Kmet’ i Kostërcit, i vendosur në arat më të mira të Hysenjave në mes të fshatit, po ndihmon vendosjen e kolonëve tjerë. Në arat më të mira të Selman Kadri Spahiut vendosëm Jovanin, Milladinin, Jolin dhe Perën. Në arat e Bejtë Rrustemit vendosem Bozhën, ndërsa në arat e Asllan Hetemit, Millojën e Dragon. Gjurën e Rakiqin i vendosem në arat e Shaban Hetemit. Gjurës i kemi dhënë edhe dy hektarë ara të Selman Nimanit, pasi nuk i plotësohej kuota e duhur prej dhjetë hektarësh. Radenkon e kemi vendosur në anën tjetër të fshatit, në arat e Dervishajve. Në arat e lagjes Nimani, kemi vendosur Savën dhe dy familje tjera kolonësh, të cilëve ua kemi ndarë nga dhjetë hektarë tokë të punueshme. Edhe në pronën e Ejup Spahiut, i cili akoma jeton në fshatin Vitak, kemi vendosur tri familje kolonësh të sapo ardhur, të cilët thjeshtë i kemi lënë në mal, duke pritur ndihmën e shtetit të cilën ua kemi premtuar. Ata, nëse nuk i ndihmojmë, mund të vdesin urie. Njëfarë Millan Vukmirin e kemi vendosur mbi një kodër, në pronën e Jashar Spahiut, Nëse nuk e ndihmojmë, edhe ky do vdes nga uria”.

Shqiptarëve, komisioni agrar serb aso kohe ua linte në posedim më së shumti 25 ari tokë. Kishte familje shqiptare me njëzetë anëtarë dhe kjo gjendje ishte e pashpresë për ta. Me gjithë këto masa dhe këto vrasje, asgjë nuk po ecte sipas planit serb. Jo pak herë, në këto raporte shkruhej edhe për kushtet në të cilat po i vendosnin kolonët e mashtruar nga pushteti kriminal dhe i korruptuar i Beogradit. Çdo komandant xhandarmërie që dëshmohej fare pak i butë në zbatimin e planeve të dhunës mbi shqiptarë, largohej nga detyra menjëherë.

Me rënien e Aleksandër Rankoviqit, kolonët shitën shpejt pronat e tyre. Dëshmitarët shqiptarë, të cilët ia dolën t’u mbijetojnë këtyre vuajtjeve, pas shkarkimit të Rankoviqit i blenë tokat e tyre nga kolonët që iknin. /Telegrafi/

Kolonizimi i Kosovës dhe rezistenca shqiptare: Lufta e pamundur e Serbisë, për t’i zhbërë shqiptarët
Lexo po ashtu Kolonizimi i Kosovës dhe rezistenca shqiptare: Lufta e pamundur e Serbisë, për t’i zhbërë shqiptarët