Prodhuesi i orëve, Vacheron Constantin ka prezantuar një koleksion orësh të frymëzuara nga shenjat e horoskopit.

Çdo orë nga koleksioni përmban mekanizmin Calibre 2160 dhe 96 safirë blu të prerë në formë “baguette”. Koleksioni Metiers d'Art Tribute to the Celestial bashkon precizitetin e lartë të orë-ndreqjes me artin e frymëzuar nga motivet qiellore.


Çdo model i është kushtuar një shenje të horoskopit dhe yjësisë përkatëse, e paraqitur me teknikën e gdhendjes me dorë “guilloché” në një numërator të thellë blu, të zbukuruar me diamante të prera në formë yjesh. Orët janë të vendosura në kuti me diametër 39 mm të punuara nga ari i bardhë 18-karatësh dhe janë të rrethuara me 96 safirë blu të prerë me precizitet.

Çdo ilustrim astrologjik kërkon rreth 16 orë gdhendje precize, duke përdorur një teknikë që është zhvilluar brenda kompanisë Vacheron Constantin.

Orët funksionojnë me mekanizmin ultra të hollë automatik tourbillon Calibre 2160, i cili punon me 18 mijë vibrime në orë dhe ofron një rezervë energjie prej 80 orësh.

Rotori periferik i tij prej ari 22-karatësh lejon një pamje të qartë të pjesëve të punuara me mjeshtëri të mekanizmit.

Ky koleksion nuk është vetëm një homazh për horoskopin, por edhe një pasqyrim i adhurimit të përhershëm të markës ndaj universit dhe simbolikës së tij.

Duke u mbështetur në lidhjen midis astronomisë dhe astrologjisë, koleksioni Métiers d'Art Tribute to the Celestial vazhdon traditën e Vacheron Constantin në krijimin e veprave artistike të frymëzuara nga kozmosi. /Telegrafi/