LAJMI I FUNDIT:

Kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë letër të hapur kryeministrit

Kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë letër të hapur kryeministrit

Kolegji i Klinikës së Kardiologjisë i ka drejtuar një letër të hapur presidentit të vendit, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Shëndetësisë lidhur me siç thonë ata fushatën e pandalur për denigrimin e përgjithshëm të Qendrës Klinike dhe në veçanti të personalitetit të mjekut.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e Kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë


Letër e Hapur

(Opinionit publik, Qytetarëve të Republikës së Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës,Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Shëndetësisë)

Është jo fort e zakonshme që mjekët t’i drejtohen me letra edhe qytetarëve edhe politikës, por ne kemi shumë kohë që po e ndjejmë mbi supet tona jo presionin por fushatën e pandalur për denigrimin e përgjithshëm të Qendrës Klinike dhe në veçanti të personalitetit të mjekut.

Pazakonshëm që t’ju drejtohemi në këtë mënyrë për të treguar të vërtetën tonë që është fshehur nga një fushatë çnjerëzore për të përulur dinjitetin e të gjithë neve që përkujdesemi për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë si punonjës shëndetësorë, por njëkohësisht jemi të bindur në përgjegjshmërinë e plotë të secilit prej nesh në kryerjen e detyrave dhe obligimeve tona si dhe në ndershmërinë e secilit prej nesh në detyrën e mjekut.

Nuk i kemi ikur asnjëherë asnjë hetimi për punën tonë, sado që të tilla ka pasur në të kaluarën në çdo kohë, varësisht nga nevojat e kujtdo dhe varësisht nga egot e cilitdo. Kësaj radhe e kemi përzgjedhur që t’ju drejtohemi për ta qartësuar se në kushtet e këtilla, të rënduara të punës, kur përballemi me konkurrencën e egër të tregut të parregulluar në fushën e shëndetësisë, kur interesat edhe të politikës ngriten mbi nevojat e qytetarëve, ndërtimi i aktakuzave që nuk përmbajnë dhe nuk përputhen me realitetin janë të padinjitetshme dhe të padrejta, dhe synojnë të fshehin shumëçka që ndodh në shoqëri.

Nuk i ikim asnjë hetimi dhe mbështesim fuqishëm sundimin e ligjit dhe të rendit, që nënkupton funksionimin e shtetit të së drejtës që nuk përbaltë, nuk njollos dhe nuk shpif e shpikë aktakuza të paqena, të bazuara në “inate, smirë, ego dhe xhelozi të cilitdo bartës të institucionit të përndjekjes”.

Po e shkruajmë këtë letër për të hedhur faktet tona, që kundërshtojnë fuqishëm “gjetjet” e Kryeprokurorit të shtetit, mbi të cilat padrejtësisht dhe padenjësisht janë shkruar qindra faqe aktakuzë ndaj mbi 60 punonjësve të shëndetësisë, nga të cilët 44 mjekë, e në fakt përmbajnë të njëjtat “shkronja” si në rastet e mëhershme pa asnjë fakt të ri.

Aktakuza na rëndon se “kemi shpërdorur miliona euro të buxhetit të vendit” duke mos e theksuar faktin se po me këto “miliona euro disa qindra qytetarë të vendit kanë shpëtuar jetërat e tyre, pikërisht për faktin se janë dërguar për shërim”. Gjithashtu aktakauza na rëndon “se kemi shkaktuar vdekjen e pacientëve” dhe ngre “pasigurinë e qytetarit në sistemin shëndetësor të vendit”. Por kryeprokurori ka harruar “qëllimisht” që të marrë shënimet zyrtare për “shpëtimin e jetës së njerëzve në Kosovë” nga pikërisht të njëjtit njerëz që ai i akuzon.

Nisur nga ky fakt dhe nga aktakuza e ngritur, që kemi përshtypjen se bazohet mbi “thashetheme” për të mbuluar “paaftësinë e papërgjegjësinë e atyre që punojnë në institucionet e ndjekjes” vlerësojmë se:

Vet zgjerimi i hetimeve ka qenë tendencioz, me presione te jashtëligjshme mediatike, thirrje dhe presione ndaj njerëzve të sëmurë (pacientëve) e familjarëve të tyre për dëshmi, marrje e dëshmive të tyre si te mirëqena, pa konsulte-ekspertize mjekësore për to, anashkalimi i organeve ligjore: komisionet etiko-profesionale në QKUK, MSH dhe deri në Mjekësi Ligjore.

Akuzohemi se kemi keqpërdorë shumën prej rreth 4.5 milionë euro. Në ndërkohë që me këto mjete kanë marrë trajtim mjekësor rreth 700 pacientë nëpër spitalet private ose publike brenda ose jashtë vendit, të kontraktuara nga MSH.

Akuzohemi se ne komisione konziliare paskemi dhenë fletë referime për trajtim jashtë institucioneve publike për pacient që tashmë kishin e kryer procedurat mjekësore dhe me nuk kishin nevojë për to.

Duam t’ju sqarojmë se: fletëreferimet janë dhenë  sipas UA 10/2013, i cili për raste emergjente parasheh mundësinë për rimbursim deri në 72 orë pas kryerjes së procedurës-retroaktiv (neni 5.1). Fletëreferimi është vetëm njeri nga kushtet për mundësi për aplikim në organet përgjegjëse të ministrisë.

Si ka mundësi që një komision i cili është  nën kontrollin e drejtorisë së QKUK (neni 5.2), për 5 vite me radhë të marrë vetëm mbështetje, e asnjëherë të vetme vërejtje, të akuzohet ky komision, e në ndërkohë të mos pyetet e as të merret në përgjegjësi  Drejtoria e QKUK/SSHKUK, zyrat  ligjore në QKUK e Ministri.

Si ka mundësi që mjekët të akuzohen , ndërkohë  që kanë kryer punën që i obligon udhëzimi administrative, në ndërkohë të mos merret në përgjegjësi  Bordi i MSH, i cili është  organi më i lartë për lejimin apo refuzimin e trajtimit të pacientëve jashtë SHSKUK.

Akuzohemi se kemi dhënë fletë referime për persona të vdekur: personat kanë shkuar si raste urgjente, të gjallë (me fletëlëshim dhe jo me fletëvdekje), e fatkeqësisht një numër i vogël kanë vdekur gjatë procedurave, dhe familjarët e tyre kanë aplikuar për rimbursim konform UA.

Cili ligj i ndalon një familjari të një pacienti shumë të rendë e fatkeq që në procedurë e sipër ndërron jetë, që ai të privohet nga e drejta e vet legjitime e barabartë me qytetarët tjerë.

Si ka mundësi që mjekët të akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm, në ndërkohë që prokuroria e shtetit shkel vet ligjin duke e anashkaluar mendimin e personave përgjegjës profesional brenda sistemit.

Manipulohet opinioni publik me shifra pacientësh të vdekur nëpër spitalet private, duke nxjerrë nga konteksti këto numra, për të krijuar huti dhe panik ndër pacientë e familjar, madje duke abuzuar me emocionet e njerëzve të cilët tashmë kanë humbur familjarët e tyre. E vërteta qëndron me ndryshe: janë trajtuar rreth 8000 pacientë, shpeshherë me diagnoza shumë të rënda dhe gjendje te pashprese, derisa fatkeqësisht kanë përfunduar me vdekje (exitus letalis) rreth 200 sosh, shifër kjo mjaft inkurajuese për trajtimin e syndromes acute koronare (infarktin), kur e krahason me statistikat valide evropiane.

Për me tepër mund të thuhet se aplikimi i metodave kardiologjike invazive në vendin tonë i filluar në vitin 2007 ka përgjysmuar vdekshmërinë e të sëmurëve nga kjo patologji (nga 11% në 6%) si dhe ka ulur ndjeshëm invaliditetin e përjetshëm të tyre, gjithë kjo e krahasuar me epokën kur një procedurë e tillë nuk është kryer brenda vendit tonë.

Në praktikën tone të përditshme klinike nuk kemi gjetur as edhe një rast të vetëm (pacient) që ka marrë një trajtim të panevojshëm, pandërgjegjshëm, ose të gabuar nëpër klinikat kardiologjike brenda ose jashtë vendit,  aty ku kanë marrë trajtim pacientët tonë. Është plotësisht joetike dhe joprofesionale, publikimi ose marrja si të mirëqena, e aq me tepër si “fakte”, deklaratë e pabaza, laike e ndonjë rasti emocional të njerëzve që mendojnë se janë trajtuar keq, ose kanë vendosur “stente të panevojshme”, duke anashkaluar çdo ekspertizë profesionale.

Akuzohemi për marrje ryshfeti sipas tabelave të gjetura nëpër institucione private, të cilat i konsiderojmë të sajuara, shantazhuese, e që ishin objekt i sqarimit tonë të vazhdueshëm gjatë bisedave informative me Prokurorinë e çështjes, i cili nuk ishte në gjendje të jepte as më të voglin argument-dëshmi se dikush nga koleget tonë ka marrë ryshfet.

Kujt i pengojnë sukseset e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë?

Në kohën kur Klinika e Kardiologjisë me mbështetje zero (p.sh nuk është blere as edhe një aparat EKG, përkundër kërkesave të vazhdueshme, e le më ndonjë aparaturë tjetër) nga MSh dhe qeveria, arriti të përmbyllë komplet ciklin e trajtimin të sëmundjeve kardiovaskulare: Trajtim invaziv, implantim të elektrostimulatoreve, deri në trajtim Kardiokirurgjik.

Duke e ndjerë vetën komplet të pafajshëm në të gjitha pretendimet e prokurorit, ne të poshtë- nënshkruarit, kërkojmë që drejtësia të vendosë sa më shpejt verdiktin e vet përfundimtar, në mënyrë që   të ruhet integriteti i jonë moral, etik dhe profesional, ndërsa përgjegjësit dhe fajtorët eventual të marrin dënimin e merituar”.