LAJMI I FUNDIT:

Kol Idromeno, i përvetësuar për një copë buke internimi

Kol Idromeno, i përvetësuar për një copë buke internimi

Refleksione për jetën dhe veprën e artistit shumëplanësh, Kol Idromeno. Piktor, skulptor, fotograf, skenograf, muzikant dhe arkitekt.

Nga: Kolec P. Traboini


Ka misione e misionarë të çuditshëm në këtë botë të pleksur keq, siç e konsideronte Shekspiri, të cilët kinse duke kërkuar të nxjerrin prej historisë vlera, në deduksione e amulli vetanake, nuk mungojnë të hedhin shkulmë terrine edhe mbi atë që ndrin e të bën krenar si komb. Dihet se gjithherë ka pasur nga ata që nga dëshira e ndezur shpirtpërvëluese për të hyrë në analet e historisë, ndërkohë në paaftësi të plotë të krijojnë, kanë ndjekur një tragë tjetër të kundërt me atë të krijimit. Janë përpjekur për të shtënë në hije atë që kanë krijuar paraardhësit apo bashkëkohësit e vet.

Ai që dogji Romën quhej Neron dhe e vuri emrin në histori po aq të spikatun sa dhe perandorët që e ngritën lart emrin e perandorisë dhe e bënë të ndritshme atë. Zumë një emër rrënuesi, por historia na jep plot shëmbëllesa shekull pas shekulli, për të ardhur deri në ditët tona. Nuk i kanë shpëtuar kësaj dhune historike as emrat tanë të mëdhenj si Gjergj Fishta, e jo vetëm. Paradoksalisht, edhe pse sistemet e dhunshme ndërrohen simptomat e përçmimit dhe përçudnimit të historisë e kulturës vazhdojnë.

Ka një tollovi të madhe edhe ndër bashkëkohësit tanë, nga ata që kërkojnë të dalin e të bëjnë shou mediatik me ide kinse të reja. Nuk do t’i hyja trajtimit të këtij aspekti sikur vitet e fundit të mos i ishin përveshur edhe Da Vinçit shqiptar, Kol Idromeno. Një prej atyre që përpiqen thekshëm të bëjnë “zbulime” në këtë siujdhesën tonë ballkanike është piktori Mustafa Arapi, i cili në “Gazeta Shqiptare” të datës 1 qershor 2017, shkroi më të pabesueshmen në fushë të artit, kinse portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti – Traboini) nuk është vepër e Kol Idromenos. Më vjen ta pyes me zë të lartë sa të dëgjojë edhe Kol Idromeno në varr: Po kush e ka bërë, o Mustafa? Meqë i hyn valles, çoje deri ne fund. Na thuaj emrin e piktorit të aluduar, sepse emri Nikolla Idromeno në telajon ku shfaqet mrekullia “Motra Tone” nuk qenka e mjaftueshme për ju. Për më tepër, si është e mundur që Kol Idromeno, ky personalitet kaq i madh i artit shqiptar, i paska lejuar vetes të vërë emrin e vet poshtë veprës së një tjetri nga Italia, ku, e theksojmë, nuk e dimë të ketë shkuar Antonia Skanjeti-Idromeno. Por, edhe në pastë shkuar nuk ka qenë e veshur me rrobe tradicionale shkodrane por evropiane. Ajo e kishte bashkëshortin intelektual italian, mësues dhe veshja e saj e përditshme ka qenë allafrënga si në familjen prindërore, po njëjtë edhe në atë të martesës Skanjeti.

Jo vetëm e pabesueshme kjo pandehmë, por edhe e përzishme. E përzishme për çdo dashamirës arti, aq më tepër për ne që jemi pak a shumë të afërt me familjet Idromeno e Skanjeti, sepse Motra Tone para se pikturë ka qenë një njeri.

E gjithë pandehma e këtij kritiku të vonuar është se nga ana stilistike ndryshon portreti “Motra Tone” nga veprat e mëvonshme, qofshin këto portrete apo kompozime. Po çfarë ka këtu për t’u çuditur. Ndryshe prej çdo vepre tjetër, Motra Tone e mëvonshme, me veshje allafrënga, është dhembja e thellë e Kol Idromenos, pikëllimi piskamë i vëllait për motrën e vdekur në moshë të re. Është vuajtje shpirtërore që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë. Këtë ndjesi humbëse nuk e ka pasur Kol Idromeno në vitin 1883, kur datohet krijimi i portretit të parë, anipse askush nuk e vërteton dot se ajo vepër nuk ka ardhur duke u përsosur në detaje nga dora e piktorit edhe pas atij viti. Që vuajtja e piktorit ka qenë e madhe e tregon fakti se dekada më vonë ai krijon portretin e dytë të “Motres Tone”. Mesa duket me kërkesën e vajzave të saj që tashmë qenë rritur. Po ashtu ai krijoi dhe portretin e babait të tyre, burrit të motrës Tone, Andrea Skanjeti. Trajtimi dhe tonaliteti i të dy portreteve të bashkëshortëve është pothuajse i njëjtë. Të kërkosh këtu shkëlqimin kromatik të portretit të vitit 1883 është si të kërkosh të ngjallësh të vdekurin.

Dy portretet e prindërve janë dhurata e Kol Idromenos për pesë mbesat e tij, vajzat e “Motrës Tone” për t’i ruajtur në kujtesë, sepse ato kur vdiq nëna e tyre ishin ferishte, ndërsa babai kishte ndërruar jetë në vitin 1908. Ato e njihnin nënën vetëm nëpërmjet pikturës me veshje tradicionale. Por, e vërteta është se Motra Tone atë veshje tradicionale e ka pasur vetëm në pajë e jo si veshje të përditshme. Ajo ishte gruaja e një italiani, Andrea Skanjetit (i pari) që ashtu si Pietro Marubi, erdhi nga Italia e dha një kontribut të madh në shkollimin e pinjollëve të familjeve shkodrane duke krijuar një brez intelektualësh që do të bëheshin krenaria e qytetit të Shkodrës. Pra, vajza shkodrane Antonieta Skanjeti ishte ndër më të emancipuarat e kohës së vet. Ajo vishej me rroba evropiane e të modës së kohës, rroba që vinin nga Italia. Edhe vajzat e saj po ashtu, të cilat, i shohim me veshje tradicionale vetëm në fotografi. Kol Idromeno më shumë se angazhim artistik, në portretin me veshje allafrënga të Motrës Tone, ka pasur qëllim të krijojë imazhin e saj, dhe meqenëse ajo nuk jetonte më, ai nuk mund t’i jepte atë shkëlqim drithërues që ka portreti i vitit 1883. Nuk mendoj se kjo diference e madhe stilistike e kualitative në përdorimin e ngjyrave e pasurinë e detajeve ka të bëjë me venitjen e talentit të piktorit ndër vite, siç thonë skeptikët. Kurrsesi. Përkundrazi është e shpjegueshme, gjithçka i nënshtrohet qëllimit për të cilin është krijuar portreti në telajo.

Në veprën e parë këndojnë ngjyrat e tonet janë të gëzueshme, sepse piktura është krijuar kur Motra Tone ishte gjallë, në të dytën tonet janë serioze, madje diku-diku të trishtueshme nga që figura e krijuar tregon portretin e një njeriu që nuk jetonte më. Ishte pra një përkujtim e përshpirtje e nuk mund të kishte shkëlqimin e veprës se vitit 1883. Prandaj na duket e pa arsyeshme dhe pa asnjë bazë pretendimi se Motra Tone e vitit 1883 ka dorën e dikujt tjetër. Se pari duhet të kujtojmë se, tjetër ndjesi ka njeriu kur këndon e tjetër kur përkujton amshimin, ani pse ai që i përjeton ndjesitë e kundërta është i njëjti njeri. Edhe në trajtimin ngjyrave në telajo funksionon kështu. Ngjyrat kanë ndjesinë dhe frymën e atij që krijon. E njëjta dukuri qëndron edhe për vargjet poetike, por edhe për muzikën.

Lexojmë edhe pse nuk duam të besojmë: “Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare” (Gazeta “Shqip” – Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare – Eleni Laperi, 15 gusht 2017). Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinçi shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën “Shqip”, me firmë e me vulë të studiueses në fjalë. Ky po që është studim-zbulim me tronditë edhe mendjet më të kthjellëta. Por, le të vazhdojmë ta lëçisim edhe më tej zonjën Laperi, që të përpiqemi sadopak të kuptojmë ku e ka pasur ngulmimin studiues që të konsiderojë Kol Idromenon tragjikun e pikturës shqiptare. Pse pra na paska qenë Idromeno një piktor me thelb tragjik?: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse”, shkruan zonja Laperi.

Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi të tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë, të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, e që sot i admirojmë edhe të huajt, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës kthyen paraqitjen e këtij qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë e frymë nga Evropa, zhvillimi më i madh në këtë qytet bashkë me lulëzimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin evropian, shprehje e të cilit në këtë rast është arkitektura. Të krijosh një Evropë të vogël në Shkodër të Shqipërisë së robëruar pesë shekuj, është me të vërtetë një punë e madhërishme. Historia nuk ia jep çdo kujt këtë mundësi e këtë lavdi.

Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas tërmetit shkatërrues vitit 1905 dhe rindërtimin të qytetit mbi principe moderne, e ndjenin se ishin në Evropë e jo në humbëtirat e Anadollit. E njëjta ndjesi të krijohet edhe sot kur kalon në pedonalen që mban emrin e Kolës, e cila në të vërtetë duhet të mbante emrin e atit dhe të birit, sepse ishte vepër e përbashkët. Dhe është e nevojshme të theksojmë se Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo studiuesja kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, i cili bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të rrethit familjar nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” të jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit dy vjeçar, Zefit, si dhe motrës në moshë të re, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kishte aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëlluese romantike siç e fantazon jetën e artistit Eleni Laperi.