LAJMI I FUNDIT:

Kokëdhimbja gjatë shtatzënisë

Kokëdhimbja gjatë shtatzënisë

Ndodhë shumë shpesh që shtatzënat në tremujorin e parë të shtatzënisë kanë dhimbje koke, shpeshherë të padurueshme. Kokëdhimbja është reaksion normal i organizmit në ndryshimet e shumta hormonale të cilat zhvillohen në atë periudhë.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Ne nuk e dimë se cili është saktësisht shkaku i kokëdhimbjes, por mund të lidhet me ndryshimet hormonale dhe me sasinë e shtuar të gjakut në organizëm.


Gjatë shtatzënisë prodhohet hormoni progesteron i cili i relakson muskujt e mitrës dhe të enëve të gjakut, përfshirë edhe të atyre në kokë dhe qafë duke shkaktuar kokëdhimbje për shkak të shtypjes së ulët të gjakut.

Kokëdhimbja mund të shkaktohet edhe nga uria, dehidrimi, stresi dhe nga gjumi i pamjaftueshëm. Edhe nëse ju pëlqen që të pini kafe, përpiquni të pini sa më pak.

Si shkak i kokëdhimbjes, sidomos në muajt e ftohtë, mund të jetë mbyllja e sinuseve të hundës. Nëse keni problem me sinuset, gjatë dimrit mbuloni gojën dhe hundën me shall që të mos thithni ajrin e ftohtë.

Kokëdhimbja lehtësohet ose zhduket në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Nëse vazhdoni të keni kokëdhimbje konsultohuni me mjekun, sepse mund të keni shtypje të lartë të gjakut, sidomos nëse dhimbjen e keni në pjesën e përparme të kokës që shoqërohet me çrregullime të të pamurit.

Përpiquni që të gjeni kohë për të pushuar dhe shëtitni në ajër të pastër. Hani shëndetshëm dhe shpesh e në racione të vogla.

Nëse tashmë keni kokëdhimbje mund t’i bëni këto veprime për ta lehtësuar dhimbjen:

– Merrni një qese me perime të ngrira nga frigoriferi, mbështillni qesen me një peshqir dhe vendosni në kokë.

– Lagni peshqirin me çaj të nxehtë kamomili dhe vendosni në fytyrë. Kamomili ka veprim qetësues dhe do t’ju lehtësojë dhimbjen e kokës.

– Nëse bëni dush me ujë të ftohtë, për shkak të stimulimit të enëve të gjakut, dhimbja do të lehtësohet.

– Bëni masazh kokës duke fërkuar tëmthat me lëvizje rrethore të gishtave. Shtypni me gishtin e madh vendin ku keni më së shumti dhimbje dhe mbani të shtypur 1-2 minuta.

– Qëndroni me kurrizin drejt! Mund t’ju duket e çuditshme, por nëse rrini kërrusur do ta nxitni kokëdhimbjen.

Mos përdorni asnjë ilaç pa u konsultuar me mjekun! /Telegrafi/