LAJMI I FUNDIT:

Kohë e keqe për gjithë letërsinë

Kohë e keqe për gjithë letërsinë

Nga: Berat Armagedoni

I vizitoj çdo javë shtypshkronjat dhe libraritë. Shtypshkronjat digjitale dhe ato ofset. Para se t’i vizitoj këto makineri, e di si përgatitet një libër për botim dhe si dërgohet në shtyp. E shoh për çdo ditë punën e botuesve, atë të bukur dhe atë të shëmtuar. Më ka marrë malli të shoh një libër me poezi në ofset. Ka nisur të më marrë malli të shoh një roman në ofset. Të gjitha llojet e letërsisë vazhdojnë të shkruhen edhe sot e të pëlqehen shumë më pak sesa janë pëlqyer njëherë e një kohë. Iku ajo kohë. Erdhi tjetër kohë. Iku bashkëpunimi me shtypshkronjat ofset. Sot në shtypshkronjat digjitale, poetë, prozatorë, tregimtarë, eseistë, pjesa më e madhe e tyre pensionistë dhe të rinj, presin në radhë për të shtypur një libër të ri. Presin t’i shtypin njëqind, dyqind, treqind ekzemplarë dhe, kryesisht, t’i japin falas.


Po të bëjmë një krahasim mes poetëve dhe prozatorëve, hallin duhet t’ua qajmë poetëve. Libraritë kanë filluar të mos pranojnë libra me poezi për shitje, edhe botuesit kanë filluar t’i lënë pak mënjanë poetët. Kohë e keqe për lirikën, thoshin dikur. Kohë e keqe për gjithë letërsinë, them tash. Ka arsye të shumta e të ndryshme pse letërsia nuk pëlqehet sa dikur e librat nuk lexohen e shkruhen si dikur. Mediet dhe rrjetet sociale i kanë dhënë goditje të fortë letërsisë. Ndoshta lexuesit edhe janë gërditur nga letërsia e keqe! Nga librat e këqij. Nga librat e botuar pa përkujdesje gjuhësore, pa përkujdesje artistike, pa përkujdesje teknike.

Sot, si asnjëherë tjetër, është lehtë të botosh libër. Nëse i ke paratë, librin do ta shtypësh qysh të duash vetë. Ka botues që një autori për shërbim të ISBN-së dhe të cipit i merr pesëdhjetë euro dhe nuk i intereson çfarë ka në libër. Nuk merret as me përmbajtjen e tij, as me dukjen e tij, as me shtypin e tij, as me promovimin e tij. Një fjalë nuk e shkruan askund për daljen në dritë të tij. Këta autorë, këta botues, këto shtypshkronja, me këtë raport bashkëpunimi, i kanë bërë dëmin më të madh letërsisë dhe gjithë veprimtarisë botuese.

Çmimi i letërsisë ka rënë përtokë, edhe nëpërkëmbja e saj është rritur shumë, se është prodhuar, në vend se të prodhohej e mirë, më shumë letërsi e keqe. Ata pak autorë të mirë botuesit i kërkojnë vetë, autorët e këqij i kërkojnë botuesit dhe, më shumë se këta, shtypshkronjat. Duan çmim të lirë dhe mall të lig. S’e lodhin mendjen a kanë bërë punë të mirë a të keqe. Duan vetëm biografisë së vet t’i shtojnë një titull të ri dhe të angazhohen ta shpërndajnë librin falas nëpër shoqëri. E shoqëria e tij, përpos një urimi për botimin e librit, i kërkon një libër falas me nënshkrim: “Ma ruaj një, miku im!” Rrallë shohim kësi lloj miqsh që pyesin: “Në cilën librari mund ta gjej e ta blej?”

Përçmimi i autorëve, e morët vesh tashmë, nis nga vetë autorët që edhe përgatitin, edhe duan çorbë të lig, pastaj vijon nga shoqëria që kërkon falas, së fundi tash nga libraritë që nuk i duan brenda lokalit librat e poetëve sepse, arsyetohen, po u mbesin aty kohë të gjatë. Kjo liri e shtypit dhe e shprehjes zhvillim më të madh në vendin tonë nuk ka pasur kurrë, po as gjendje më të keqe nuk ka pasur kurrë. Fytyra e vërtetë e letërsisë sot shfaqet premierë dhe pëlqehet në rrjete sociale, veçan në “Facebook”. Aty shprehen edhe mendimet për të me këto epitete: e bukur, e mirë, e këndshme, e sinqertë … Këto kategori nuk janë për fytyrën e vërtetë të letërsisë. Këto cilësime nuk i shprehin kritikët e përnjëmend. I shprehin ata që s’i dallojnë kategoritë morale dhe estetike. Dhe derisa ka këso vlerësime, këso shoqërie, kësi autorë, kësi botues, këso medie, këso rrjete sociale, këso shtypshkronja që marrin përgjegjësi të mëdha, ditë të mira për letërsinë s’do të ketë.