Gjatë kësaj jave pritet që kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, të thërras në një takim liderët e partive më të mëdha për të arritur një përafrim për reformën zgjedhore.

Deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi, i cili njëherë ka qenë edhe anëtar i Komisionit për Reformë Zgjedhor, ka thënë se dihet botërisht që LDK-ja ka qenë bllokuese e reformës.


“Ne e dimë publikisht kur është tërhequr Lidhja Demokratike nga mbledhja e komisionit me arsyetim që neve duam të abstenojmë, sepse nuk duam të marrim pjesë. PDK ka reaguar menjëherë duke i lutur anëtarët e LDK-së që të kthehen në komision dhe të përfundojmë ligjin, i cili ka pas pakëz punë. Tani dëgjoj nga njerëzit e përgjegjshëm të LDK-së kur thonë se duam të kthehemi dhe ishalla ja mbush mendjen Yoti që ata të kthehen në komision e të vazhdojmë”, ka thënë Krasniqi, transmeton Kosovapress.

I pyetur se a kanë presion nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështje, Krasniqi ka thënë se nuk është në dijeni për këtë, por ka shtuar se presioni duhet të jetë vetë nga brenda.

“Tani unë nuk jam përgjegjës për të folur në emër të bashkësisë ndërkombëtare. Presioni është dashur të na vijë nga mungesa e zhvillimit të proceseve, përndryshe nuk është dashur të presim presion nga askush. Po them të drejtën nuk jam kompetent dhe nuk mund të them a ka pasë presion. Tek ne nuk ka pas nevojë të bëjë presion askush, sepse gatishmëria e PDK-së për të përfunduar reformën zgjedhore ka qenë jashtëzakonisht e dukshme, e prekshme dhe e njohur për publikun”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka shfaqur shpresën që së shpejti mund të ketë një arritje të pajtimit për reformën zgjedhore. Por, ai edhe njëherë ka akuzuar PDK-në për këtë bllokadë.

“Po shpresoj që nuk do të jetë takim koti. Kësaj kotësie ose joefikasiteti padyshim që i ka kontribuar PDK-ja me obstruksionet dhe bllokadat që i ka bërë. Asnjëherë nuk ka qenë LDK-ja ajo që e ka bllokuar këtë proces, bile LDK-ja është ajo që ka iniciuar reformat dhe po shpresojmë që gjatë javës së ardhshme të ketë, s’po e them tërësisht, përfundim ose konkretizim të asaj që ka mbetur ende pa u konkretizuar. Veçmas janë tri çështje që nuk kanë gjetur zgjidhje: është çështja e zonave, listave të hapura apo të mbyllura dhe çështja e mënyrës së formimit të KQZ-së”, ka deklaruar Beqiri.

Lidhur me presionin që mund të vijë nga jashtë, Beqiri nuk ka dashur të ketë intervenim të palës së tretë.

“Po unë nuk do të doja që të kemi intervenim të palës së tretë. Intervenimi figurativisht duhet të bëhet në kokën e atyre që po e bllokojnë këtë. Unë nuk shoh asnjë arsye. Mendoj që kishim mundur të merremi vesh, sepse nuk është e pamundur”, ka theksuar ai.

Ndërkohë Shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se çështja e reformës zgjedhore po bëhet gjithnjë e më urgjente në Kosovë. Ai shpreson që në takimin e liderëve politik të ketë arritje në pika, të cilat do të hapin mundësi që pastaj Kuvendi të kryej punën e vet, në mënyrë që pastaj vendi të shkoj në zgjedhjet e reja. Gjini nuk e pranon që ka presion nga ndërkombëtarët, por e quan ndihmesë nga Unioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj se faktori ndërkombëtar nuk mundet me i zgjidh problemet në Kosovë të këtij lloji. Këto janë probleme politike, shumë të brendshme. Por, besoj se faktori ndërkombëtar, para se gjithash Unioni Evropian, i cili e ka bërë të qartë që duhet të ketë reformë zgjedhore, do të jetë ndihmesë. Në të gjitha vendet e Ballkanit ka pasur procese të këtilla dhe vazhdojnë proceset e këtilla dhe mendoj që ndihmesa që vjen prej Unionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndihmesë për demokracinë e jo diçka tjetër”, ka deklaruar Gjini.

Edhe zyrtari i lartë i AAK-së shprehet optimist që ky proces të zhbllokohet dhe të ec përpara.

Partitë politike kanë qëndrime krejtësisht të kundërta kur flitet për zonat zgjedhore, listat të hapura apo të mbyllura dhe për përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor.

PDK vazhdon të insistojë në gjashtë zona zgjedhore, ndërsa LDK-ja është me propozimin që sa komuna të jenë të ketë aq zona apo vetëm një zonë zgjedhore. Ndërkaq, kërkesa e AAK-së është që të ketë 100 zona. /Telegrafi/