LAJMI I FUNDIT:

Koha më e përshtatshme për investimin në Burimet Njerëzore

Koha më e përshtatshme për investimin në Burimet Njerëzore

Rreth 70% e udhëheqësve ekzekutivë në botë besojnë se investimi në kapitalin njerëzor është pasuria më e madhe me vlerë të qëndrueshme ekonomike, andaj fokusimi tek njerëzit është me rëndësi themelore për rritjen e biznesit. Për këtë arsye, bashkëpunimi në këto dy vitet e fundit në mes të CEED Kosova dhe Projektit EYE (Rritja e Punësimit për të Rinj) të financuar nga Qeveria Zvicerane ka qenë i fokusuar pikërisht në zhvillimin e kapitalit njerëzor te bizneset e Kosovës.

CEED dhe EYE kishin krijuar një program për udhëheqësit ekzekutiv dhe zyrtarë të burimeve njerëzore me synimin që t’ju ofrohet një ekspertizë ndërkombëtare dhe rajonale përmes punëtorive dhe shkëmbimit të përvojave në grupe, diagnostifikim të nevojave të kompanisë prej konsulentëve ndërkombëtarë dhe lokal me përvojë për të aplikuar praktikat dhe trendet moderne të burimeve njerëzore, si dhe ofrimit të mundësisë për të investuar në zhvillimin e qëndrueshëm të kompanisë. Të gjitha këto me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe kapacitetit në kompani.

Programi ka filluar si rezultat i një hulumtimi nga CEED Kosova dhe EYE, ku ishin vlerësuar nevojat e kapitalit njerëzor të bizneseve lidere ne Kosovë, dhe ku përmes hulumtimit ishte vërejtur që ekzistojnë shumë mundësi brenda këtyre bizneseve të rrisin investimet në zhvillimin e kapitalit njerëzor me qëllim përfundimtar rritjen e biznesit të tyre si dhe njëherit tu ofrojë konsulentëve që mirren më zhvillimin e kapitalit njerëzore ti përmirësojnë aftësitë dhe shërbimet e tyre në mënyrë që të stimulojnë një treg për shërbimet e tyre. Nga të gjithë sektorët e hulumtuar, sektori i mallrave të konsumit të shpejtë ka qenë një nga sektorët më proaktive për investime në kapitalin njerëzor.

Tani që bizneset në Kosovë janë duke përparuar dhe disa nga to janë të gatshme për investime të huaja, zhvillimi i kapitalit njerëzor shikohet si diçka e domosdoshme dhe shumë e nevojshme. Në anën tjetër, me ndryshimet që janë duke ndodhur në treg, parashikohet që tregu i shërbimeve dhe konsulencës të burimeve njerëzore (BNJ) kanë potencial për zhvillim të mëtutjeshëm. Parashikohet që potenciali më i madh për shërbimet lokale të BNJ të jetë për bizneset e mesme, biznese këto që janë në një faze të rritjes së shpejtë dhe kanë nevojë urgjente për zhvillimin e procedurave dhe standardeve për menaxhimin e kompanisë në përgjithësi, dhe në veçanti menaxhimin e burimeve njerëzore.

Tani është koha më e përshtatshme për këto biznese që të investojnë në BNJ, pasi që janë në fazat e rritjes së hershme dhe kjo lejon përshtatjen më të lehtë të praktikave të mira të menaxhimit të BNJ nga udhëheqësit e kompanisë, si dhe të instalohen si duhet në kompanitë e tyre.