LAJMI I FUNDIT:

Koeficient ndershmërie

Koeficient ndershmërie

Unë, sigurisht, duke qenë shumë dashamirës me të gjithë njerëzit e forcave të rendit, si qytetar, duke i mbështetur në punën fisnike që bëjnë, jam krejt kundër që Policia të marrë kompetenca të jashtëzakonshme. Nuk ka kuptim që nga njëra anë e lëmë djallin të dalë nga shishja dhe pastaj për ta rifutur thyejmë grykën e shishes duke gjakosur veten. Lemë krimin të marri dhenë dhe pastaj marrim masa të jashtëzakonshme policore për ta përballuar. Nuk ndërtojmë dot shtet ligjor kështu. Bëjmë dy gabime që tronditin shoqërinë: edhe lëmë krimin rrugëve, edhe ndërtojmë shtet policor që edhe pse mund të veprojë kundër krimit, mbetet përsëri policor.

Çdo qytetar ka të drejtë të ketë të drejta.


Por, por, por… unë do të isha dakord që të gjithë shqiptarët të kishin detyrimin që të justifikonin brenda një periudhe, ta zëmë njëvjeçare, të gjitha pasuritë e tundshme dhe të patundshme që zotërojnë, kanë pas zotëruar, kanë dhuruar, kanë marrë dhuratë, kanë shkëmbyer, kanë lënë trashëgim etj.

Këtu të futen të gjithë, deputetë, profesorë, akademikë, gazetarë, ish-të burgosur, kryetarë partish, ish-ministra dhe ministra, lypsarë, drejtorë, ish-drejtorë, diplomatë, biznesmenë, të papunë, emigrantë që rikthehen ose kanë aktivitet në Shqipëri apo kërkojnë shërbime në atdhe.

Se edhe kështu, që të gjithë thonë: të gjithë vjedhim!

Edhe kështu që populli vjedh sepse politikanët vjedhin, edhe kështu që me lekët e vjedhjes investojmë në shkolla dhe media ku bëjmë fushata si të mos vjedhim, se edhe kështu kur ai që vjedh është i nderuar dhe ai që nuk vjedh është legen, edhe kështu që unë vjedh sepse ti vjedh, ne vjedhim se ata vjedhin, se ju vidhni, ne vjedhim, se edhe kështu që të gjithë hajdutë të gjithë viktima të vjedhjes, të gjithë shihemi si hajdutë dhe i shohim të tjerët si kusarë, kështu ne nuk do të jemi me shekuj veçse një bandë banditësh, kusarësh dhe do të vazhdojë loja: Polici-Hajduti

Një projekt pastrimi që të zgjasë 5-10 vjet. Me konsensus mbarëkombëtar.

Dhe, secili të dalë me një koeficient ndershmërie: ta zëmë, qytetari P.M. ka koeficient ndershmërie 53 për qind, sepse aq justifikon pasurinë, por qytetarja M.K. ka koeficient ndershmërie 41 për qind sepse ka vjedhur më shumë.

Kontroll profesional dhe qytetar. Me juri mikse specialistësh, qytetarësh dhe financierësh.

Kjo bëhet me standarde dhe norma shumë të sakta, që duhen përpunuar me shumë kujdes, të gjithëpranuara dhe jo me aksion me punë vullnetare.

Çfarë kanë për të na dëgjuar veshët dhe parë sytë!

Sa qejf kam të deklaroj se ku i kam gjetur paratë për të blerë “Audin” tim që e kam blerë me okazion, pasi ka bërë 400 mijë kilometra dhe është i vitit 1996!!

Një xhevahir është! Kjo është sfida që të kemi një Shqipëri të pastër.

Ta rinisim Shqipërinë pastërtisht!