Koci ngre dyshime për keqtrajtim të Lozhanit në Serbi

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se ndodhet në Beograd, ku po vepron si mbrojtës ligjor i Mit’hat Lozhanit, i arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte, duke deklaruar se ndihet edhe vetë i rrezikuar.
“Jam në Beograd, për lirimin e Mit’hat Llozhanit. Kam informata që jam edhe unë i rrezikuar”, ka shkruar Koci në Facebook.
Sipas tij, ka informacione se gjendja e Lozhanit nuk është e mirë, ndërsa më herët gjatë ditës kishte ngritur shqetësime për trajtim të papërshtatshëm brenda qendrës së paraburgimit.
Koci ka përmendur dyshime për presion, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe trajtim fizik që, sipas tij, kërkojnë verifikim të menjëhershëm.
Avokati ka kërkuar që pretendimet të hetohen urgjentisht përmes një ekzaminimi mjekësor të pavarur dhe dokumentimit zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm, si dhe ka kërkuar transparencë për kushtet e marrjes në pyetje.
Po ashtu, ai ka bërë thirrje për masa konkrete për garantimin e sigurisë fizike dhe psikologjike të të arrestuarit, përfshirë veçimin nga të paraburgosurit e tjerë nëse ekziston rrezik për sigurinë e tij. /Telegrafi/



















































