LAJMI I FUNDIT:

Koci: Lushtaku u dënua pa prova e pa fakte

Koci: Lushtaku u dënua pa prova e pa fakte

Gjyqësia nuk njeh praktikë të tillë të dënimit si ky i Sami Lushtakut, ka thënë sot avokati i tij, Arianit Koci, para trupit gjykues të Apelit.

Në këtë Gjykatë ka nisur paraqitja e argumenteve të mbrojtjes kundër aktgjykimit dënues për Grupin Drenica nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, raporton KTV.


“Nëse Gjykata e shkallës së parë ka dashur ta zbatojë ligjin, është dashur ta kujtojë thënien e famshme të Moisiut, i cili thotë: Një person mund të dënohet vetëm në bazë të dëshmive të dy dëshmitarëve. A ka ndodhur kjo? Jo”, ka thënë Koci.

Ai ka shtuar se dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur D, nuk konfirmohet nga asnjë dëshmitarë tjetër, nga asnjë provë materiale dhe kundërshtohet nga dëshmitë e dëshmitarëve tjerë.

“Kundërshtojmë kredibilitetin e Dëshmitarit D. Rrëfimi i tij nuk është vërtetuar, ka kontradikta sidomos për vrasjen e pretenduar. Dëshmia e tij është në kundërshtim direkt me provat e paraqitura nga dëshmitarët Nezir Fazliu, Kamber Hamza dhe Jonuz Lushtaku”, i ka thënë Koci trupit gjykues.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Drenicës, është dënuar me 12 vjet burgim për vrasjen e një personi gjatë luftës, e i cili nuk është identifikuar e as nuk i është gjetur trupi.

Gjatë ditës pritet që fjalën kundër dënimit ta japë edhe mbrojtja e Sylejman Selimit.