LAJMI I FUNDIT:

KMDLNj: Suspendimi në Qendrën Korrektuese në Dubravë është i padrejtë!

KMDLNj: Suspendimi në Qendrën Korrektuese në Dubravë është i padrejtë!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë sot se Shërbimi korrektues i Kosovës nuk ka kapacitete të nevojshme profesionale për trajtimin e rasteve të rënda, sidomos të atyre që kanë çrregullime të rënda mendore prandaj ka rekomanduar ndërtimin e një Spitali për nevojat e Shërbimit Korrektues të Kosovës që do t’i përmbushte standardet për trajtimin e këtyre rasteve.

KMDLNJ thekson se suspendimi në Qendrën korrektuese në Dubravë pas rastit të vetëvrasjes është i padrejtë, pasi kanë mungesë të theksuar të stafit dhe e kanë të pamundur t’i mbulojnë të gjitha rastet.


“I vetëvaruri I.K ka qenë i paraburgosur dhe i akuzuar për vepër penale ‘vrasje e rëndë në tentativë’ dhe i është caktuar masa e paraburgimit nga data 11.04.2018 nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Ai është transferuar në Q.K në Dubravë me datë 03.07.2018 nga Q.P në Prizren pas një tentim për vetëvarje në Prizren dhe pas gjendjes së rënduar psikike. Gjatë qëndrimit në Q.K të Dubravës është trajtuar rregullisht nga mjeku, psikiatri dhe psikologu. Kurse , me propozim të mjekut me 30.07.2018 është dërguar në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë nga është kthyer më 20.08.2018 dhe gjendja e tij është vlerësuar e përmirësuar dhe nuk ka pasur ndonjë rekomandim për një përcjellje të shtuar për të burgosuri I.K”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Vetëvarja e të paraburgosurit në Dubravë, suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy infermierë
Lexo po ashtu Vetëvarja e të paraburgosurit në Dubravë, suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy infermierë

“Para se të kthehej nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike e që nuk ka rekomanduar përcjellje apo vëzhgim të shtuar, nga stafi i Q.K të Dubravës ka qenë një propozim për përcjellje permanente më datë 18.07. 2018 kurse me 25.07.2018 e kanë zvogëluar përcjelljen nga ajo permanente në çdo 10 minuta e që është respektuar nga stafi korrektues”, bëhet e ditur në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Q.K të Dubravës, tash i ndjeri I.K ka bërë dy përpjekje për vetëvrasje; më 18.07.2018 ka shkaktuar vetëlëndime në dy duart, kurse më 21.07.2018 ka bërë përpjekje që të fusë një kabllo në prizën e rrymës që të vetëvritet, por është penguar nga stafi korrektues.

“KMDLNj edhe më herët ka theksuar se SHKK nuk ka kapacitete të nevojshme profesionale për trajtimin e rasteve të rënda e sidomos të atyre që kanë çrregullime të rënda mendore prandaj ka rekomanduar ndërtimin e një Spitali për nevojat e Shërbimit Korrektues të Kosovës që do t’i përmbushte standardet për trajtimin e këtyre rasteve dhe rasteve të tjera e që nuk është përfillur deri më tani prandaj po përsëriten rastet e tilla, nga viti në vit”, thuhet në reagim.

Sipas KMDLNj-së, Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë (Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve), Ministria e Drejtësisë (Shërbimi Korrektues i Kosovës) duhet të trajtojnë këtë rekomandim me seriozitet dhe urgjencë.

“Improvizimet që janë bërë deri më tani duke i dërguar kohë pas kohe në institucionet shëndetësore apo duke improvizuar ‘dhoma të veçanta për të burgosur’ janë treguar të pasuksesshme dhe më shumë kanë shërbyer për pushim të VIP të burgosurve se për përmbushje të nevojave të të privuarve nga liria që kanë probleme serioze shëndetësore”.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Shërbimi Korrektues i Kosovës në përgjithësi dhe Qendra Korrektuese në Dubravë kanë mungesë të theksuar të stafit prandaj e kanë të pamundur t’i mbulojnë të gjitha rastet.

“Për këtë arsye KMDLNj e sheh të padrejtë suspendimin e dy oficerëve korrektues dhe shëndetësorë për rastin I.K për faktin se nuk kanë pasur rekomandim apo urdhëresë për përcjellje permanente apo trajtim të veçantë për të paraburgosurin e vetëvarur pas kthimit nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike e cila është dashur të ketë rekomandime konkrete për trajtim”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Këshilli…. kërkon që me urgjencë të rritet numri i stafit korrektues, që ai të jetë profesional e sidomos ata që merren me trajtim e të miturve dhe femrave sikur edhe ata që duhet të merren me trajtimin e rasteve me probleme të ndryshme shëndetësore dhe e kundërshton faktin që për shkak të neglizhencës së institucioneve përkatëse e tërë përgjegjësia të bartet te oficerët korrektues, shëndetësorë dhe administrativ, që në raste te caktuara suspendohen nga puna, pastaj dalin të pafajshëm e që nuk paraqet kurrfarë zgjidhje. /Telegrafi/