LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve të Kosovës: Ndaleni demonizimin e sektorit privat

Klubi i Prodhuesve të Kosovës: Ndaleni demonizimin e sektorit privat

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, përmes një komunikate thonë se me shqetësim dhe indinjatë ka ndjekur debatet e kohëve të fundit ku disa ndërmarrës dhe kompani kosovare janë sulmuar dhe etiketuar nga qarqe të ndryshme.

Sipas prodhuesve të Kosovës, për ta kjo është krejtësisht e papranueshme, e dënueshme dhe si e tillë dëmtuese për atmosferën e përgjithshme të investimeve dhe të bërit biznes në Kosovë.


“Fuqizimi nga institucionet e shtetit dhe përkrahja nga shoqëria është imperativ për krijimin e klimës së përshtatshme e shumë të nevojshme për të zhvilluar tutje sektorin privat, si punëdhënësi bindshëm më i madh në vend dhe kontribuesi kryesor i buxhetit të republikës”, thuhet në komunikatë.

Mbi të gjitha, vlerësojnë prodhuesit kosovarë, mospërkrahja e bizneseve kosovare sot shkon në kundërshtim me politikat për rritjen e prodhimit vendor, si dhe zvogëlimin e importit dhe rritjen e eksportit.

“Rikujtojmë se prodhuesi kosovar, me ngritjen e dukshme të cilësisë së prodhimeve, çdo ditë e më tepër po i zëvendëson prodhimet e importit, përfshirë edhe ato nga Serbia. Debati i kotë i ditëve të fundit jo vetëm se i del në rrugë këtij momentumi, por pikërisht pengon zhvillimin e tij”, thuhet më tej në komunikatë.

“Shoqëria kosovare, e cila më në fund ka arritur të vendosë sistem të vlerave perëndimore në sistemin ekonomik dhe politik, duhet t’i gëzohet suksesit të ndërmarrësve, sepse me suksesin e zhvillimin e tyre padyshim rritet edhe suksesi dhe mirëqenia e shoqërisë. Kërkojmë që demonizimi i ndërmarrësve të ndalet një herë e përgjithmonë dhe t’u njihet kontributi i patjetërsueshëm në shoqëri dhe shtet, si nevojë për emancipim shoqëror drejt zhvillimit të përgjithshëm në vend”, përfundohet në komunikatën e Klubit të Prodhuesve në Kosovë. /Telegrafi/