LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve fton kompanitë prodhuese të bojkotojnë panairin ‘Prishtina 2018’

Klubi i Prodhuesve fton kompanitë prodhuese të bojkotojnë panairin ‘Prishtina 2018’

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPP) shpreh pakënaqësinë se si paratë e taksa-paguesve kosovarë po shfrytëzohen në promovimin e kompanive serbe në Kosovë, përkatësisht në panairin ‘Prishtina 2018’, të cilin e organizon Oda Ekonomike e Kosovës.

“Duhet theksuar se 17 vjet pas përfundimit të luftës, asnjë kompani e Kosovës nuk është ftuar apo nuk ka marr pjesë në ndonjë panair në Serbi. Ndërsa, në panairin kryesor ndërkombëtarë në Kosovës nga gjithsej 174 kompani që marrin pjesë, mbi 50 përqind janë nga Serbia”, kështu thuhet në njoftimin e KPK-së, përcjell Telegrafi.


Për KPK-në kjo është e papranueshme kur merren parasysh të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohen prodhuesit kosovar në raport me politikat dekurajuese të shtetit serb. Vështirësi këto të cilat janë të shumta e që fillojnë nga barrierat e shumta tarifore dhe jo-tarifore, bllokimin e prodhuesve kosovar në tregtinë e tyre brenda territorit serb, bllokimin transitit të prodhuesve kosovarë të cilët tregtojnë përmes Serbisë, e po ashtu në mos zbatimin e Marrëveshjes për energji elektrike, përkatësisht në bllokimin që i bënë Serbia Kosovës në lidhjen e interkoneksionit. Përveç këtyre, këtu duhet shtuar edhe agresionin e përditshëm që bënë shteti serb në mohimin e shtetësisë së Kosovës dhe përpjekjet e vazhdueshme të shtetit serb kundër interesave të Kosovës.

KPK thotë se është e papranueshme se si një hapësirë kaq e konsiderueshme po u jepet promovimit të kompanive serbe në tregun e Kosovës, e ku në të njëjtin panair ka pasur shumë pak të ftuar nga radhët e prodhuesve kosovar për pjesëmarrje. Sipas KPK-së, misioni i Odës Ekonomike të vendit është promovimi strategjik i interesave të zhvillimit ekonomik të vendit, e jo promovimi i interesave personale të kujtdo qofshin ato.

Për fund, Klubi i Prodhuesve i bënë ftesë të gjitha kompanive kosovare pjesëmarrëse në këtë panair që në shenjë proteste ta bojkotojnë këtë panair. /Telegrafi/