Klinë, gjendet trupi i pajetë i gruas së raportuar si e zhdukur mbrëmë

Në lumin e Bardhë (Bistrica), në fshatin Grabanicë të Klinës, është gjetur sot trupi i pajetë i një gruaje, e cila mbrëmë ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për Telegrafin se trupi është gjetur rreth orës 13:15, gjatë kërkimeve të intensifikuara nga njësitë policore.
“Mbrëmë rreth orës 19:30 është raportuar nga familjarët që është larguar nga shtëpia dhe nuk po gjendet. Rasti ishte iniciuar si ‘person i zhdukur’ dhe sot gjatë kërkimeve trupi i pajetë është hasur diku një kilometër larg urës së fshatit”, deklaroi Gashi.
Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen në vendngjarje, ndërsa hetuesit rajonalë dhe prokurori i shtetit kanë kryer procedurat e para hetimore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi/









































