I dërguari i posaçëm i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj sistemit të drejtësisë evropiane dhe mënyrës se si po trajtohet rasti i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.

Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Grenell ka kritikuar zgjatjen e paraburgimit të Thaçit për pesë vjet pa nisjen e plotë të gjykimit, duke e quajtur këtë shembull të dështimit të sistemit evropian.


“Ka shumë arsye pse Evropa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që heshtin rehat për Hagën, që mban një president shteti në burg për pesë vjet pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat edhe më shumë vite,” ka shkruar ai.

Grenell shtoi se sistemi evropian është “brutal, arkaik dhe i drejtuar nga elitat”, duke theksuar se “kjo nuk është drejtësi” dhe se askush nuk duhet të marrë më kurrë këshilla gjyqësore nga evropianët.

Në fund, ai shprehu mbështetje për ish-presidentin Thaçi, duke thënë se shpreson që ai t’i padisë të gjithë në Hagë në një gjykatë amerikane kur të lirohet, pasi, sipas tij, “janë para të taksapaguesve amerikanë që financojnë këtë sistem”./Telegrafi/