Përfitoni nga ngrohtësia e tokës dhe siguroni lulëzim të bollshëm në muajt e parë të pranverës

Mbillini bulbet tani, ndërsa kopshtet dhe ballkonet gradualisht po zhyten në gjumin dimëror. Kopshtarët me përvojë theksojnë se pikërisht vjeshta e vonë është koha më e përshtatshme për të planifikuar kopshtin pranveror. Muajt e ftohtë nuk shërbejnë vetëm për krasitje, por janë edhe koha e duhur për të mbjellë bulbet që do t’ju përshëndesin të parat në fillim pranvere, duke sjellë ngjyra të mrekullueshme dhe një pamje spektakolare.


Sipas ekspertëve, fundi i vjeshtës dhe fillimi i dimrit janë idealë për mbjellje sepse toka ruan ende ngrohtësinë. Edhe pse mund të duket e ftohtë, nxehtësia e akumuluar ndihmon bulbet të zhvillojnë rrënjë. Acari dhe bora që vijnë më vonë e stimulojnë edhe më shumë lulëzimin, prandaj tani është momenti i përkryer për të përgatitur oazën tuaj të së ardhmes, transmeton Telegrafi.

Këto janë katër llojet e luleve që duhet t’i mbillni deri në fund të nëntorit:

Krokusi - lajmëtari i parë i pranverës

Nëse dëshironi që kopshti ose ballkoni juaj të zgjohet i pari pas dimrit, krokusët janë zgjedhja ideale. Lulëzojnë shpesh duke çarë shtresën e borës, duke sjellë ngjyra të buta, por të dukshme.

Kopshtarët me përvojë rekomandojnë t’i mbillni nëpër livadhe, rreth trungjeve të pemëve ose përgjatë shtigjeve, por edhe në vazo rriten për mrekulli.

Tulipanët - mbretëreshat e ngjyrave pranverore

Ekspertët këshillojnë që mbjellja e tulipanëve të fillojë vetëm pasi të kenë rënë ditët e para me acar, sepse kjo ndihmon në parandalimin e sëmundjeve. Pastaj fillon periudha ideale për mbjellje.

Tulipanët janë të dashur kudo falë gamës së pabesueshme të ngjyrave, nga pastelet e butë deri tek tonet e forta dhe të ndezura. Çfarëdo stili të ketë kopshti juaj, gjithmonë gjendet një varietet që i përshtatet në mënyrë perfekte.

Narciset - lajmëtarët e gëzimit

Narciset mbeten ndër të preferuarat e përhershme të kopshtarëve, veçanërisht varietetet e vogla që janë dekorative, të forta dhe shumë rezistente. Edhe pse duken të brishta, janë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe ideale për mbjellje përgjatë shtigjeve dhe livadheve.

Meqenëse mbillen deri në fund të nëntorit, ky fundjavë mund të jetë shansi i fundit për të siguruar lulëzimin e tyre pranveror. Janë po ashtu të shkëlqyera për fillestarët.

Alliumet elegante

Alliumet (Allium) janë ndër lulet më efektive pranverore, të njohura për kokat e tyre të mëdha, sferike, me nuanca vjollce apo të bardha. Ato çelin në fund të pranverës, rriten në lartësi dhe krijojnë kontrast të bukur me lulesh të tjera pranverore.

Përzihen në mënyrë ideale me bimë shumëvjeçare të hershme dhe janë zgjedhja perfekte për bordura të pasura dhe shumëngjyrëshe.

Mbillni tani, gëzoni pranverën

Mbjellja e bulbeve këtë fundjavë do të thotë më pak punë në pranverë dhe shumë më tepër kënaqësi. Gjatë dimrit mund t’i lini krejtësisht të qeta dhe në pranverë do t’ju shpërblejnë me një shpërthim të vërtetë ngjyrash.

Siç thonë kopshtarët me përvojë, ky është një nga momentet më të bukura për çdo dashamirës të kopshtit. /Telegrafi/