Hidhen dyshimet e para se kush ishte gruaja përgjegjëse për shpërthimin në Stamboll
Mediet turke raportojnë se gruaja me shami si dhe me pantallona kamuflazhi, mund të jetë e dyshuara për shpërthimin në Stamboll ku humbën jetën gjashtë persona dhe 81 të tjerë pësuan lëndime.
Imazhet të publikuara nga mediumi turk, Sozcu, tregojnë si duket momenti kur e dyshuara, u largua menjëherë pas shpërthimit, transmeton Telegrafi.
Derisa të gjithë ishin në panik, shkruan mediumi turk, në orën 16.13, kur ndodhi shpërthimi në rrugën Istiklal, shihet se e dyshuara është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes brenda të njëjtit minutë pas shpërthimit.
Njësitë e sigurisë, të cilat morën masa për kapjen e gruas me një xhaketë lëkure me shami në kokë dhe pantallona kamuflazhi, mblodhën pamjet e kamerave të sigurisë nga shumë pika.
Të gjitha ekipeve iu dha informacioni për përshkrimin e gruas. Mësohet se në vendngjarje ka dalë deklarata e shoferit të taksisë se gruaja dyshohet se ka kryer aktin terrorist.
Autoritetet turke zyrtarisht deklaruan se një grua mund të ketë pasur rol në sulmin e së dielës. Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se e dyshuara ishte ulur në stol për 40 minuta, kur pas kësaj ndodhi shpërthimi.
Sipas Al Jazeera-s, e dyshuara thuhet se lëshoi një çantë me eksplozivë në mes të rrugës të mbushur me civilë, dhe shpërtheu disa minuta pasi ajo u largua.
Al Jazeera gjithashtu raportoi se në shpërthim dyshohet se janë të përfshirë tre persona, njëra prej të cilave është gruaja dhe dy burra, të lindur në vitin 2000.



































