LAJMI I FUNDIT:

Kjo është fotografia familjare e darkës në Athinë – të pranishëm edhe Kurti e Zelensky

Kjo është fotografia familjare e darkës në Athinë – të pranishëm edhe Kurti e Zelensky

Në takimin në Athinë, është realizuar edhe fotografia familjare në të cilën shihen liderët e Ballkanit Perëndimor bashkë me ata të Bashkimit Europian.

Mes tyre shihet prezent, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e po ashtu edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si dhe si i ftuar special i Greqisë, presidenti i Ukrainës, Volodimyr Zelensky.


Ky po vlerësohet si një nga takimet më të rëndësishme për Evropën Lindore.

Kujtojmë që takimi është zhvilluar pa prezencën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili u raportua se nuk ishte ftuar fare në këtë darkë.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me popullin ukrainas në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Ata u mblodhën të hënën mbrëma në një darkë joformale në Athinë, të organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Selanik.

“Duke vlerësuar vlerat e BE-së të bazuara në demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në të ardhmen evropiane. Siç thuhet në Deklaratën e Selanikut të dy dekadave më parë: ‘Evropa do të jetë vërtet e bashkuar vetëm kur të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë përbërëse e saj”, thuhet në njoftim dhe shtohet se në fund të darkës joformale, liderët ranë dakord për një deklaratë të përbashkët.

Në darkën joformale në Athinë morën pjesë: presidentët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Të pranishëm ishin edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së nga rajoni – Andrej Pllenkoviq i Kroacisë, Ion-Marcel Ciolacu i Rumanisë dhe Nikolai Denkov i Bullgarisë, si dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentja moldave, Maia Sandu./Telegrafi/