LAJMI I FUNDIT:

Kjo është forma e faturimit për konsumatorët me ujëmatës të përbashkët

Kjo është forma e faturimit për konsumatorët me ujëmatës të përbashkët

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, ata të cilët jetojnë në ndërtesa kolektive, në rastet me ujëmatës të përbashkët se faturimi i ujit të shpenzuar do të bëhet në bazë të Rregullorës Nr.02/2016 mbi Standardet Minimale të Shërbimeve të Ujit në Kosovë dhe atë në bazë të Nenit 37.

Në ndërtesat e banimit kolektiv në të cilat banojnë dy e më tepër konsumatorë, ku faturimi bëhet në bazë të leximit të konsumuar të ujëmatësit të përbashkët, faturimi për ujin e shpenzuar/konsumuar bëhet si vijon:


” 1.1.Në bazë të leximit të ujëmatësit individual, në ato raste kur ekziston ujëmatësi
Individual;

1.2. Deri në vendosjen e ujëmatësve individual (sipas paragrafit 2 të këtij Neni), në rastet kur konsumi matet përmes ujëmatësit të përbashkët, apo kur teknikisht nuk është e mundur realizimi i ndarjes së lidhjes në mes të pronave të së njëjtës ndërtesë me qëllim të zbatimit të paragrafit 3 të këtij Neni, atëherë konsumimi i përbashkët (sasia e ujit e matur me m3) i ndahet secilës pronë (konsumator) në bazë të:
1.2.1. Opsioni i parë: numrit të anëtarëve të bashkësisë familjare, të dëshmuar përmes ; listës të proceduar nga përfaqësuesi i ndërtesës kolektive, në pajtim me Ligjin për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi. Lista konsiderohet valide kur është e nënshkruar nga të gjithë konsumatorët e ndërtesës së banimit kolektiv. Lista e tillë mund të përditësohet varësisht nga risitë në bazë të kërkesës së konsumatorëve dhe ofruesit të shërbimeve.

1.2.1.1. Përveç kontratës së shërbimit, Ofruesi i shërbimeve me këtë kategori të konsumatorëve duhet të nënshkruaj edhe marrëveshjen e pajtueshmërisë me këtë formë të faturimit.

Në rastet e pamundësisë së zbatimit të këtij paragrafi, faturimi do të bëhet sipas paragrafit 1.2.2. të këtij Neni.
1.2.2. Opsioni alternativ: numrit të banorëve të planifikuar për sipërfaqe të pronës ( sipas standardeve të dimensionimit të hapësirës së banimit) dhe në këtë rast ndiqen këto hapa:

1.2.2.1. Përcaktohet numri i banorëve për pronë ( hapësirën banuese) në bazë të m2 të sipërfaqes së pronës. Hapësira e planifikuar sipas standardeve fillon nga 40 m2 për 1(një) banorë dhe shtohet 1 (një) banorë për çdo 12 m2.

1.2.2.2. Përcaktohet numri i përgjithshëm i banorëve për të gjithë objektin;

1.2.2.3. Llogaritet konsumi për 1 banor (m3) ( sasia e ujit të matur (m3) në ujëmatësin e përbashkët ndahet / pjesëtohet për numrin e përgjithshëm të banorëve);

1.2.2.4. Përllogaritja e faturimit bëhet duke marrë për bazë: numri i banorëve për pronë x konsumimi i llogaritur për banorë (m3) x tarifa për kategorinë përkatëse, gjegjësisht konsumatorët shtëpiak ngarkohen me tarifë shtëpiake, ndërsa ata komercial dhe industrial me tarifë joshtëpiake.

Në bazë të Rregullorës Nr.02/2016 të ARRU-së iu vëmë në dijeni se çdo konsumator shtëpiak, komercial e industrial i ujit të pijshëm është i obliguar që deri më datë 20 korrik 2018 të vendosë ujëmatësin individual dhe në pamundësi teknike të vendosjes, duhet përmbajtur paragrafëve të cekura më lartë. /Telegrafi/