LAJMI I FUNDIT:

Kina paralajmëron ‘kundër-masa’ ndërsa SHBA miraton shitjen e armëve prej 1.1 miliardë dollarësh për Tajvanin

Kina paralajmëron ‘kundër-masa’ ndërsa SHBA miraton shitjen e armëve prej 1.1 miliardë dollarësh për Tajvanin

Kina ka thënë se do të marrë “kundër-masa” pasi administrata e Joe Biden miratoi më shumë se 1.1 miliardë dollarë shitje të armëve për Tajvanin.

Zëdhënësi i ambasadës kineze Liu Pengyu ka thënë të shtunën se Kina ishte kundër shitjeve, të cilat “rrezikojnë rëndë marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit” dhe i bëri thirrje Uashingtonit që t’i “revokojë menjëherë” ato.


Komentet e Liu në Twitter erdhën pasi administrata e Biden të premten njoftoi zyrtarisht Kongresin për shitjet e propozuara, të cilat përfshijnë deri në 60 raketa kundër anijeve dhe deri në 100 raketa ajër-ajër.

Departamenti i Shtetit theksoi se shitjet janë në përputhje me një politikë të gjatë të SHBA-së për ofrimin e armëve mbrojtëse për ishullin dhe e përshkroi “sigurimin e shpejtë” të armëve të tilla si “thelbësore për sigurinë e Tajvanit”.

Kina, megjithatë, ka akuzuar SHBA-në për ndërhyrje në atë që e sheh si punët e saj të brendshme.

Partia Komuniste e Kinës pretendon se Tajvani, një demokraci vetëqeverisëse, është pjesë e territorit të saj – pavarësisht se nuk e ka qeverisur kurrë – dhe është zotuar prej kohësh të “ribashkojë” ishullin me kontinentin kinez, me forcë nëse është e nevojshme. /Telegrafi/