LAJMI I FUNDIT:

Kina mund të ketë rol unik në përfundimin e luftës në Ukrainë

Kina mund të ketë rol unik në përfundimin e luftës në Ukrainë
Ilustrimi: James Ferguson / The Financial Times

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në Bahmut apo në Pekin do të thyhet ngërçi i luftës në Ukrainë? Për momentin, të gjithë sytë janë të drejtuar kah kundërofensiva e shumëpritur ukrainase – e cila së shpejti ka të ngjarë të fillojë. Por, ca zhvillime të rëndësishme ka edhe në frontin diplomatik.


Javën e kaluar, Xi Jinping e telefonoi Volodymyr Zelenskyyn. Në një vizitë të kohëve të fundit në Kiev, u befasova nga pritja e zellshme – si në zyrën e presidentit ashtu edhe në ministrinë e Jashtme – për atë bisedë me udhëheqësin e Kinës. Tashti, telefonata Xi-Zelenskyy më në fund ndodhi dhe, sipas presidentit ukrainas, ishte “e gjatë dhe kuptimplotë”. Pekini më vonë njoftoi se do ta emërojë një të dërguar për të punuar drejt zgjidhjes paqësore.

Ka arsye të dukshme për të qenë të kujdesshëm ndaj përpjekjeve diplomatike të Kinës. Xi vazhdimisht e ka theksuar respektin e vet për “mikun e tij të dashur” Vladimir Putin. Plani i paqes i Kinës për Ukrainën – i publikuar në fillim të këtij viti – ishte i paqartë dhe nuk e kërkonte tërheqjen e trupave ruse. Ka përfitime të qarta propagandistike që Pekini të shpallet si i interesuar për “paqen”, ndërkohë që nuk vepron shumë. Edhe nëse Kina është e sinqertë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për ta kapërcyer hendekun midis Kievit dhe Moskës.

E, megjithatë, është e gabuar ta hedhësh poshtë idenë se Kina mund të luajë rol të madh në përfundimin e këtij konflikti brutal. Për arsye të ndryshme, Ukraina, Rusia, ShBA-ja, Evropa dhe vetë Kina, që të gjithat kanë interes potencial në përfshirjen e Pekinit.

Ukrainasit e kuptojnë se Xi e ka një levë unike mbi Putinin – nëse ai zgjedh ta përdor atë. Përballë sanksioneve perëndimore, Rusia mbështetet te Kina për ta mbajtur në këmbë ekonominë e vet.

Administrata Biden mendon se ka shumë pak mundësi që Kina të ushtrojë presion domethënës mbi Rusinë, ndërsa disa zyrtarë të lartë ende kanë frikë se Pekini do të shkojë në drejtim të kundërt dhe do ta furnizojë Rusinë me armë. Por, ukrainasit janë më shpresëdhënës. Ata mendojnë se panë shenja të vërteta të tensionit midis Putinit dhe Jinpingut, gjatë vizitës së fundit të presidentit kinez në Moskë – dhe madje pretenduan, gjatë bisedave me mua, se Xi e ndërpreu vizitën e vet.

Pse Xi mund ta humbasë durimin me Putinin? Nuk ka dyshim se liderët rusë dhe kinezë janë të bashkuar në armiqësinë e tyre ndaj fuqisë amerikane. Një fitore e shpejtë ruse në Ukrainë mund t’i përshtatet mirë Kinës. Por, lufta e zgjatur po kthehet në një detyrim strategjik për Pekinin. Në vend që ta dobësojë sistemin e aleancës të udhëhequr nga ShBA-ja, lufta në Ukrainë i ka afruar ShBA-në, Evropën dhe demokracitë aziatike.

Kina i ka kaluar dekadat në përpjekjen që ta ndërtojë ndikimin e vet në Evropë. Por, partneriteti i vetëshpallur i saj “pa kufij” me Rusinë, i ka bindur shumë evropianë se Pekini tashmë paraqet gjithashtu një kërcënim. Amerikanët dhe evropianët po e përdorin të njëjtën gjuhë për ta “larguar rrezikun” nga marrëdhëniet e veta me Kinën, duke i reduktuar varësitë ekonomike. Kjo është e rëndësishme për Pekinin, sepse BE-ja është tregu më i madh i eksportit të Kinës. Lidhjet ushtarake midis Japonisë, Evropës dhe ShBA-së gjithashtu po forcohen.

Mënyra më e mirë për Pekinin për ta rindërtuar reputacionin e vet në Evropë, do të ishte të luajë rol të dukshëm dhe pozitiv në përfundimin e luftës. Ky lloj i lëvizjes do të ketë gjithashtu ndikim global – duke e mbështetur narrativën e preferuar e Jinpingut se fuqia amerikane është në tërheqje dhe se Kina është një forcë për paqen.

Sigurisht se ka dëshmi se Pekini po e shijon biznesin e paqebërjes. Kina është duke u mbështetur në publicitetin pozitiv – të fituar nga roli i saj në normalizimin e marrëdhënieve midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Kohët e fundit, për paqen në Afganistan kinezët e kryesuan një konferencë në Samarkand. Pekini madje ka folur për ndërmjetësimin në procesin e paqes izraelito-palestineze. (Kur e përmenda këtë në Uashington, lajmi u përshëndet me nënqeshje dhe me “paçin fat me këtë”.)

Duke e pasur parasysh rivalitetin gjithnjë në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit, mund të pritet që ShBA-ja të ketë pikëpamje të zbehtë për përfshirjen e Kinës në Ukrainë. Por, pas një debati të brendshëm, administrata e Bidenit ka vendosur të mos e hedh poshtë iniciativën kineze për paqen, por në vend të kësaj të përpiqet t’ia japë një formë asaj.

Amerikanët i kuptojnë rreziqet e paraqitjes së tyre si “kundër paqes”. Por, nuk është vetëm kjo. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu gjithnjë e më të prira për ta gjetur një mënyrë për t’ia dhënë fundin luftës në Ukrainë. Uashingtoni e di se sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më e vështirë do të jetë mbajtja e një konsensusi perëndimor për derdhjen e miliardave për ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

Pikëpamja kryesore në Uashington dhe në shumë kryeqytete evropiane është se ukrainasve duhet t’u jepet mbështetja, sa më shumë që të jetë e mundur, përpara kundërsulmit të tyre. Synimi i Ukrainës është të arrijë fitore kaq vendimtare sa ta përfundojë epokën e Putinit. Por, kjo ende nuk dihet. Rezultat më i mundshëm është që Ukraina ta forcojë veten në fushën e betejës, përpara bisedimeve të paqes.

Ka pasur shumë diskutime nëse aleanca perëndimore do të ushtrojë ndonjëherë presion ndaj Ukrainën, për të negociuar. Çështja më pak e diskutuar, por ndoshta më e rëndësishme, është se kush mund ta detyrojë Rusinë që të bëjë lëshime domethënëse – përfshirë tërheqjen nga territori i pushtuar dhe braktisjen e përpjekjeve për ta shkatërruar Ukrainën.

E vetmja përgjigje e besueshme për këtë pyetje është Kina. Vetëm Xi mund t’i ofrojë Putinit një shtrëngim të ngrohtë të duarve në publik – dhe shtrirjen e krahut në çastet private. Në një moment, udhëheqësi kinez mund të vendosë se është në interesin e vendit të vet që këtë ta bëjë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të

Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të "gjuante raketat supersonike Rampage" - një sulm preciz që heshti Teheranin

Azia
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Drejtësi
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Kalo në kategori