Kim Kardashian ka kaluar ditë të mbushura me emocione të forta dhe tension, ndërsa i afrohej provimit të rëndësishëm të avokatisë në Kaliforni. Ylli i televizionit dhe aktorja 45-vjeçare, e cila ka studiuar për shtatë vite, e mori më në fund të drejtën p/r ta paraqitur provimin, por nuk arriti ta kalonte.

Edhe pse lajmi u bë i ditur këtë muaj, Kim ka mbetur e vendosur të vazhdojë përpjekjet deri sa të kualifikohet si avokate. Tani, ajo ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaq dy javët e fundit para provimit – periudhë gjatë së cilës ka lënë mënjanë çdo angazhim profesional vetëm për t’u fokusuar në studime, shkruan The Sun.


Vlogu nëntë minutësh përfshin një moment shumë emocional: Kim, pa grim, shtrihet në shtrat dhe shpërthen në lot pas një dite të lodhshme me orë të tëra studimi. E rraskapitur, ajo i flet kamerës për sfidat që ka kaluar gjatë këtij udhëtimi të gjatë drejt ligjit.

“Jam kaq e lodhur… Çdo herë që mendoj se po shkoj përpara, del diçka që më ndalon. Një pjesë e imja thjesht do të ndalojë. Më duket sikur truri do të më shpërthejë dhe kam aq shumë për të mësuar ende”, shprehet ajo mes lotësh.

Edhe pse Kim nuk specifikoi se çfarë po e pengonte, gjatë xhirimeve shihen qartë problemet që ajo kishte me shpinën. Ajo konfirmoi se shpina “i kishte lëshuar”, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha. Në shumicën e klipeve, Kim shihet me një korse mbështetëse në shpinë, ndërsa tregon se ka bërë edhe një rezonancë magnetike, e cila ka zbuluar probleme me disqet e saj.

Foto: Kim Kardashian/Instagram

Megjithatë, një ditë para provimit, ajo u shfaq më optimiste dhe tha se ndihej e gatshme për sfidën.

Lajmi për mossuksesin e Kim-it në provim erdhi në të njëjtën kohë me premierën globale të serialit të saj dramatik “All’s Fair”, ku ajo luan rolin e avokates Allura Grant, përkrah emrave të mëdhenj si Glenn Close, Sarah Paulson, Naomi Watts dhe Niecy Nash.

Foto: Kim Kardashian/Instagram

Kim e nisi rrugëtimin e saj drejt profesionit të avokates në vitin 2018 dhe shpesh ka treguar se inspirimin e merr nga babai i saj, Robert Kardashian Sr., i njohur për karrierën e tij juridike.

Duke konfirmuar lajmin këtë muaj, Kim u shpreh: “Nuk jam ende avokate… vetëm luaj një të tillë shumë të veshur bukur në TV. Gjashtë vite në këtë rrugëtim dhe ende jam e përkushtuar deri sa ta kaloj provimin. Pa rrugë të shkurtra, pa dorëzim – vetëm më shumë studim dhe akoma më shumë vendosmëri”. /Telegrafi/