Kim Kardashian e zemëruar me fallxhorët, i thanë se do ta kalonte provimin e jurisprudencës

Kim Kardashian ka zbuluar se kishte biseduar me disa fallxhorë para se të hynte në provimin e jurisprudencës.
Sipas saj, ata i kishin parashikuar se do ta kalonte provimin, por kjo nuk ndodhi.
Kardashian e bëri këtë të ditur përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku shihet duke bërë grim ndërsa flet me dikë në telefon.
Gjatë bisedës, ajo shprehet me zemërim se parashikimet e fallxhorëve nuk kishin dalë të sakta.
“Të gjithë fallxhorët e mallkuar me të cilët jemi takuar dhe për të cilët jemi të fiksuar, janë gënjeshtarë. Të gjitha bashkë, ndoshta katër prej tyre, më kanë thënë se do ta kaloj provimin e jurisprudencës, kështu që janë gënjeshtare patologjike. Mos u besoni asgjëje që thonë”, u shpreh Kim në videon që u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale.
Miliarderja dhe themeluesja e markës SKIMS, pak ditë më parë konfirmoi se nuk e kishte kaluar provimin e jurisprudencës, ndërsa vazhdon të ndjekë karrierën e saj ligjore.
“Epo… ende nuk jam avokate, thjesht luaj një avokate me stil në TV”, shkroi ajo me ironi, duke iu referuar serialit të saj të ri në Hulu, All’s Fair.



























































