LAJMI I FUNDIT:

Kilaj thotë se po lëkundet fuqishëm koalicioni PDK-LDK (Video)

Kilaj thotë se po lëkundet fuqishëm koalicioni PDK-LDK (Video)

Isni Kilaj, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të partnerit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel ka thënë se nëse vazhdohet me këtë qeverisje, atëherë po rrezikohet seriozisht koalicioni.


“Partneri ynë qeverisës (LDK) po sillet sikur t’i kishte fituar vet zgjedhjet, që nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministrat tjerë të LDK-së”, ka deklaruar Kilaj.

Ai ka kritikuar ministrin e financave, Avdullah Hotin për largimet masive të njerëzve nga puna.

“Që nga koha e ardhjes së ministrit Avdullah Hoti në Ministrinë e Financave, ai ka nisur një fushatë të spastrimit të njerëzve që nuk kanë menduar si ai, përkatësisht si Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kilaj, duke përmendur edhe emra konkretë të të larguarve.

Që nga formimi i këtij koalicioni, sipas Kilajt, ministri i financave, por edhe disa ministra të tjera kanë keqpërdorur pozitat e fituara.

“Kanë larguar njerëz nga puna për t’i vendosur militantët e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Zv/ministri Kilaj ka folur në detaje edhe për problemet tjera nëpër ministri, ka folur për marrëveshjen e demarkacionit, reformat në PDK, por edhe për riformatimin e ekzekutivit dhe qeverisjen lokale në komunën e Malishevës nga vjen edhe Kilaj.