LAJMI I FUNDIT:

Këtu kurrë nuk do të bëhet më mirë, e unë vetëm një jetë kam: Lamtumirë Bosnjë!

Këtu kurrë nuk do të bëhet më mirë, e unë vetëm një jetë kam: Lamtumirë Bosnjë!

Nga: Lejla Çolak, ish-gazetare nga Bosnja dhe Hercegovina (letër e vitit 2016, ku shpreh arsyet se pse po e braktis atdheun e vet)
Përktheu: Ilaz Aliu

Lamtumirë Bosnjë. Më në fund jam e gatshme të ta jap lamtumirën.


Lamtumirë surrate gënjeshtare nga posterët e fushatës parazgjedhore, mafi e pamend që shet të shenjtën, fytyrën dhe bythën për të holla dhe përfitime personale. Lamtumirë dele që po ua mundësoni këtë, se të njëjtë jeni, në mos më shumë përgjegjës për këtë. Në vend që të turpëroheni, ju me krenari përshëndetni me flamuj të huaj dhe me gëzim vraponi në torishtë, sepse nuk keni tru, ndërgjegje dhe bole për identitetin e juaj. Nuk janë fajtorë politikanët në pushtet – shansi e krijon hajdutin, Ju jeni fajtorë se këtë jua mundësuat, por marrja e përgjegjësisë është nocion abstrakt dhe matematikë e lartë për popullin tonë.

Lamtumirë nacionalistë të helmuar të të tri palëve, që villni vrer, frustrim dhe urrejtje rreth vetes, për çdo ditë, dhe që përfundoni në rrapëllimë të armëve. Lufta në kokat tuaja asnjëherë nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet meqë e keni ushqim dhe asgjë tjetër nuk dëshironi përveç luftës.

Lamtumirë dy shkolla nën një çati, shembull i vërtetë i absurditetit, i pashpresës dhe patologjisë në të cilën gjendet ky vend. Në njërën nga to vijova edhe unë.

Mirupafshim ju që e quani veten myslimanë të cilit jeni të gatshëm “që të vdisni për vendin dhe fenë e juaj”, kurse ftoni në linçim publikë, djegie, dhunim dhe vrasje. Ta dini se të tillët i keni edhe në Forcat e Armatosura të Bosnjës e Hercegovinës. Njëri prej tyre është Mirza Xhiidiqi nga Zenica, që për shkak se kritikova bartjen e ferexhesë shkroi se jam “lavire” dhe se “duhet dikush të m’i nxjerr të gjithat që kam në bark”, ndërsa ka bërë thirrje publike që të më përdhunojnë duke thënë se “është i gatshëm të paguajë”. Këta janë “ushtarë” që duhet ta ruajnë popullin e vet, por supozoj se populli do të jetë mirë se derisa verbërisht do t’i besojë Allahut, ai do ta shpëtojë nga çdo e keqe – si çdo herë gjeri më tani, apo jo?

Mirë e shkroi një mik – Lejla kishte të drejtë, dildo (penisi artificial) është më pak i rrezikshëm se nikaba dhe burka, sepse askush nuk bëri thirrje për përdhunim dhe vrasje për shkak të talljes dhe fyerjes të dildos.

Mos të ofendohen të gjithë njerëzit normal dhe profesionistë; ata e dinë se kush janë dhe çfarë jam duke folur unë. Në të vërtet, qëllimi është se byk ka aty ku më së paku e pret, te të gjitha palët. Për fat të mirë, këto më nuk janë betejat e mia; këtë herë kam vendosur që të jam më e mençur dhe e zgjuar.

Lamtumirë radikalë dhe sektarë që më kërcënuat me padi dhe peticione për të më larguar nga puna për shprehjen e mendimit personal, për përdorim të figurave stilistike dhe përmendje të dildos në kontekst të bisedës për ferexhe, dhe “lëndimit brutal të emocioneve”. Jeni qesharakë.

Lamtumirë tinëzakë dhe hipokritë, lamtumirë miqtë të rrejshëm. Të gjitha maskat kanë rënë dhe jam e lumtur për këtë.

Lamtumirë buburreca.

E kam dashur Bosnjën, sepse Bosnja ishte e imja, të vetmen që kam pasur, por tani më nuk është i njëjti atdhe. Nuk është më Bosnja ime. Ndoshta kurrë nuk ka qenë e imja.

E vërteta është zhveshur deri në palcë; jam bërë tepër e vetëdijshme për disa gjëra dhe këtu rastësisht kam shërbye si pasqyrë, letër lakmusi për veten dhe për njerëzit e shumtë për disa nga devijimet e thella të kësaj shoqërie; se ndoshta edhe kam qenë e vetëdijshme, por nuk kam dashtë ta pranoj dhe në mënyrë naive kam shpresuar se ndoshta nuk është kështu.

Në Bosnje mund të jenë të lumtur vetëm ata që e shikojnë botën në mënyrë sipërfaqësore; ata janë të kënaqur vetëm pse ekzistojnë dhe nuk mërziten për gjërat “pa rëndësi” ose ata që e kanë përsosur aftësinë të jetesës në mohim, në ballonin e mbushur me iluzionet e veta. Por, unë jo, dua më tepër nga jeta dhe nuk më interesojnë hallku, nuk dua të jetoj në iluzione, dua të gërvisht nën sipërfaqe, ta kuptoj thelbin dhe ta pranoj të vërtetën – edhe nëse më kushton.

Qava si një foshnje atë natë kur mora vesh se partia mafioze SDA e kanë shitur te arabët tokën e Vrella Bosnjës. Kujtimet e mia të para, udhëtimet, gëzimin, fëmijërinë time, Sarajevën time, të shenjtë për mua. Në mua u thye diçka.

Nuk mundem më të ngulfatem nga pikëllimi dhe tmerri që atdheun ma shndërrojnë në xhamahiri sipas së cilës në të ardhmen (ndoshta ne nuk do ta përjetojmë, por do ta përjetojnë fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë) ata do të udhëheqin dhe vullnetin e tyre do të imponojnë ninxhat që nuk kanë lidhje me të drejtën e zgjedhjeve, por me ideologjinë primitive dhe të rrezikshme të shtypjes së grave dhe satanizimin e çdo gjëje që nuk është si ata – me një ideologji të prapambetur dhe agresive që nuk di dhe nuk do të përshtatet, por me dhunë imponon të veten dhe si e tillë nuk e ka vendin në një shoqëri të civilizuar dhe të shekullit XXI.

Megjithatë, politikanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës u konvenon një fuçi me para dhe pushtet që do t’jua ruajë shpinën nga dushmanët. Kështu, nga frika, paturpësia dhe lakmia shitën bythën dhe tokën te populli arab. Këta njerëz do t’ju kthejnë në robër të tyre, e ju akoma në mënyrë naive besoni se po ju bëjnë shërbim duke e bërë Dubain e mallkuar e çka jo tjetër nga Sarajeva. Dhe, mos mendoni se fitoni moral dhe virgjëri nga “vëllezërit arabë”; do të fitoni një rezervat ku boshnjaku i mirë ai ka më shumë frikën Allahut dhe kërcen si i përzhitur kur dëgjon fjalën “dildo”. Keni një numër të madh të “vëllezërve myslimanë” që kanë lozhat e tyre të prostitucionit në Sarajevë dhe ndodh shumëçka për të cilën publiku nuk flet meqë nuk i lejohet, duke e ditur se secili e ruan bythën e vet.

Problemet nuk vijnë vetëm nga jashtë; e gjithë Bosnja po radikalizohet edhe përbrenda; shumë njerëz do të donin të fusin ligjin e Sheriatit, vehabitë dhe boshnjaket e mbuluara të cilat kandidojnë për poste politike. A duhet të lejoj që nesër dikush i tillë të më përfaqësoj dhe të vendos për fatin tim – me bindjet e tij/saj të cekëta, me urrejtje ndaj të ndryshmes dhe të tjerëve, dhe me ideologji të rrezikshme klerofashiste që nuk janë gjë tjetër përveç se sekte dhe kulte që nuk kanë asgjë të përbashkët me arsyen dhe shoqërinë civilizuese?

Ju mund të thoni se si këto janë vetëm “raste të izoluara”, se si këta njerëz nuk e kanë fuqinë as numrat që të marrin votat e shumicës, se si çdokush mund të kandidojë dhe se kjo është e drejtë e tij qytetare. Megjithatë, fakti se të tillët për herë të parë në historinë e Bosnje-Hercegovinës (dhe Evropës) dolën në publik nga katër muret e tyre e drejtpërsëdrejti në posterët politikë, kjo flet shumë për gjendjen e vetëdijes në të cilën kjo shoqëri ndodhet. Kjo është e jashtëzakonshme, ky është manifestim transparent dhe simbol i errësirës së mendjes dhe arsyes, rrënim i qytetërimit modern dhe është vetëm çështje kohe kur do të jenë më shumë në numër dhe kur do të jenë më të pushtetshëm, sepse ne e dimë se ideologjitë groteske ushqehen me frikë (e ajri i Bosnjës është përplot), e kjo farë e keqe nga frika shumohet, shkatërron dhe e bën të veten.

Shumica e njerëzve në Bosnje nuk shohin dhe nuk duan të shohin se në çka u shndërrua atdheu i tyre. Nuk duan të shohin të vërtetën, sepse e vërteta dhemb, dhe shumë më rehat janë nëse jetojnë me iluzionet e veta duke gënjyer veten se gjithçka nuk është edhe aq keq. Vë bast se është më keq sesa mendoni ju. Ndoshta këtë e dini edhe ju, por nuk dëshironi ta pranoni. Ju mund t’i mbyllni sytë para realitetit dhe të më thoni se po e teproj dhe se po zmadhoj, por po jetoni në njëmendësi dhe po jetoni në një vend ku gjithmonë do të jeni skllevër – vetëm se së shpejti do të keni skllavopronarë më të këqij se këta që i keni tash. Gjallë qofshi dhe e shihni. Sinqerisht shpresoj se jam gabim dhe se nuk do të jetë kështu; do të doja këtë më shumë se çdo gjë tjetër.

Një ditë një mysliman më pyeti se a është e mundur që dikush traumatizohet nga gratë e mbuluara në ferexhe? Po, është e mundur; ja, mua personalisht, të gjitha ato gra me tenda e që u shihen vetëm sytë, më traumatizojnë. Më traumatizojnë njëjtë sikurse juve që ju traumatizon përmendja e fjalës “didlo”. Këto krijesa në tenda shumicën e popullit në Bosnje po e traumatizojnë, por heshtin nga frika se mos dikush po zemërohet. Nuk di dhe asnjëherë nuk dija të hesht.

Mbulesa nuk ka të bëjë asgjë me të drejtën për t’u veshur; ferexheja është uniformë shumë agresive e një regjimi totalitar dhe diktaturës, simbol shumë transparent i një ideologjie ekstreme dhe radikale që na shpie prapa dhe na çon në fund të pusit.

Këtu kurrë nuk kanë jetuar myslimanët e tillë; nëna ime, gjyshja, gruaja që më rriti dhe që ishte e tëra e imja, ajo ishte myslimane, e kam respektuar zgjidhjen e saj dhe fenë që mbante për vete dhe që ishte gjë intime e saj. Nuk ia imponoi askujt. Feja duhet të jetë diçka intime! Sidoqoftë, si myslimane e tillë “e moderuar”, grua e pashkolluar, nuk e ka ditur se çka në të vërtet do të thotë islami i vërtetë – dhunë dhe satanizim i tjetrit dhe asaj që është më ndryshe, por e kishte të veten, versionin e islamit të butë si të gjitha gjyshet tona. Thjesht ishte njeri i mirë. Në fund të fundit, ky nuk është islami i vërtetë. Por, kjo nuk është tema e këtij statusi.

Po e shesin tokën tonë, të fëmijëve tanë që mbi ëe të sillen egërsisht dhe jam plotësisht e pafuqishme, e frustruar dhe e zemëruar, dhe pastaj edhe kafshoj si një kafshë e plagosur. Emocionet e tilla vetëm depozitohen tek ne si deponi dhe fillojnë të shpërndahen e të na hanë përbrenda. Kjo nuk është e shëndetshme; të gjithë ata që e duan vetveten dhe mendojnë për të ardhmen e vet nuk guxojnë ta lejojnë këtë. Pjesëmarrja ime në Sindromën kolektive të Stokholmit të këtij kombi, nuk është aq e madhe që më tej ta shkatërrojë vetveten, që me këtë të vendosen kufijtë e ulërimës. Nuk ishte as prerje kirurgjike, ishte shkëputje e mishit si nga aligatori dhe djegie e urave pas vetes.

Sidoqoftë, duhet të thyhet një ve për të bërë një omlet; për gjëra nuk duhet të vajtojmë, gjërat nuk duhet t’i sheqerosim a t’i zbukurojmë në mënyrë diplomatike duke përdor eufemizmat elegantë dhe duke gëlltitur demagogjitë e lira politike që e fyejnë inteligjencën e krijesës racionale njerëzore, por me guxim duhet shikuar të vërtetën, sado që të jetë brutale dhe traumatike.

Ju lumtë individëve, aktivistëve, dhe organizatave joqeveritare për mundin e tyre dhe përpjekjet për të bërë diçka të mirë në këtë vend, por është vetëm një iluzion. Qitje pluhur syve duke hedhur fasada zbukuruese në godinat e rrënuara e themelet e të cilave janë të kalbura. Nuk mund ta bësh një pastë të ngrënshme me vezë të prishura.

Nga ana tjetër, e bukur është Çarshia dhe Sebila dhe pëllumbat e qebapët dhe malet e Bosnjës, lumenjtë dhe natyra e paprekur. Çdo gjë është e bukur dhe e përkryer, por është vetëm një argëtim për turistët dhe mërgimtarët, e ata nuk janë të detyruar të jetojnë këtu 24 në shtatë ditë të javës dhe me u ballafaqua me anën tjetër të medaljes. Vendi është shumë i bukur, në zemrën time gjithmonë do të mbetet kultura boshnjake, traditat, historia, sevdalinka; do të më mungojnë rrugët, godinat, aroma; është vendi ku jam rritur, këto askush nuk mundet me mi marrë, por shteti dhe shumica e njerëzve në të sot janë të neveritshëm dhe të mjerë.

Në Bosnje nuk mund të jesh thjesht njeri, qenie njerëzore, person me të drejtën e mendimit kritik; duhet të jesh një dele dhe t’i nënshtrohesh kopesë dhe njërit prej barinjve, e unë kurrë nuk kam qenë dele e as dikush që do t’i përkulet dikujt apo nga frika t’i servilosem dikujt – edhe pse kjo shpeshherë shtrenjtë më ka kushtuar. Por, ndashtë, për mua një jetë ndryshe nuk ia vlen të jetohet. Gjithmonë vetëm me të vërtetën, gjithmonë jam vetja dhe për këtë arsye kurrë nuk kam qenë as nuk mund të jem e juaja.

Nuk dua të deklarohem si boshnjake, sepse kurrë nuk kam qenë dhe kurrë më nuk do të jem boshnjake: islami nuk është feja ime. Nuk jam as serbe, as kroate, as “kushtetuese”, jam bosankë, gjithmonë do të mbetem bosankë e lindur – edhe pse atdheu im nuk më pranoi si të tillë. Por, kjo është vetëm një rastësi, sepse po të kisha lindur në Indi do të isha indiane, në Suedi suedeze etj., dhe kështu që pikë së pari jam person, individ më vete.

Megjithatë, Ballkani dyfytyrësh individualitetin e konsideron si çrregullim mendor, kështu që nëse në ndonjë mënyrë e kapërcen mesataren je dele e zezë, jotokësore, “ndryshe”. Nëse udhëhiqemi me këtë logjikë, atëherë vendet e zhvilluara dhe të suksesshme të cilat e çmojnë dhe e nxisin individualitetin dhe ku janë njerëzit të lumtur, i bie se nuk janë gjë tjetër përveçse institucion mental, ndaj unë vullnetarisht po lajmërohem që të më “burgosin” dhe të më marrin nën sqetullat e tyre.

Mbetshi dhe shëndet njerëz të mrekullueshëm, nga palët e ndryshme, ju që s’keni lejuar të ju helmojnë me ideologjinë e tyre të prapambetur dhe fashiste, dhe që jeni zëri i vetëm i arsyes dhe shpresës në atë moçal. Faleminderit për të gjitha, sepse jeni e vetmja e ndritshme e këtij shteti të kalbur dhe e Ballkanit. Me ju do të mbetem gjithmonë e lidhur dhe çdo largësi fizike nuk mund ta ndërpresë këtë.

Fatkeqësisht, si të tillë jeni pakicë, kurse në moçal nuk jetohet po mbijetohet; në sipërfaqe noton ajri grabitqar derisa bakteret ta prekin lëkurën dhe të infektojnë trurin. Pra, kështu lufta ime me mullinjtë e erës zyrtarisht përfundoi. Refuzoj që më tutje të vazhdoj të besoj në përpjekjet naive se është e mundur me ndërrua të pandërrueshmen. Po ngulfatem në baltën e huaj të një sistemi të shpërbërë dhe po thith erën e keqe të gropës skeptike.

Sindroma e Stokholmit që është në kodin gjenetik të paraardhësve tanë dhe përcillet nga gjenerata në gjeneratë, si dhe ai kolektiv pas traumave dhe tmerrit nga lufta, prodhon pajtueshmërinë me gjendjen e status-kuosë në të cilën të maltretojnë dhe shfryhen mbi ty dhe pajtohesh me atë – me rëndësi “vetëm mos të të qëllojnë”.

Manipulojnë me ty duke ngjall frikë në masë që nxiton të votojë për “të vetin” kështu që ata “të tjerët” mos ta sulmojnë, mos ta presin në qafë, mos ta djegin. Dhe, nuk arrijnë të kuptojnë se ata të “vetët” janë e keqe më e madhe, ujq të maskuar me lëkurën e deles. Ndoshta edhe e kuptojnë, por udhëhiqen me logjikën mazokiste se “nëse dikush po u dashka me më grahë, le të më grahë dikush i imi”. Është në pyetje mekanizmi i fuqishëm mbrojtës i cili që në fillim do të ngufasë çfarëdo shenje të revolucionit dhe kryengritjes popullore. Ne mund të mashtrohemi sa të duam, por këtu kurrë nuk do të jetë më mirë (së paku jo sa jam gjallë, e unë e kam vetëm një jetë).

Më në fund vrava dhe varrosa iluzionet për një jetë më të mirë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe po largohem e vendosur, e qetë dhe e lumtur, sepse dua jetë të mirë për veten dhe fëmijët e mi. Largimi është çështje e përgjegjësisë personale ndaj vetes dhe për ata që vijnë pas meje. Jeta është për ta jetuar dhe për ta shijuar, e jo për të mbijetuar. Jeta është për të marrë frymë thellë me mushkëri e jo të ngulfatesh nga era e keqe. Jeta është për të bërë diçka të bukur dhe të dobishme nga ajo. E, këtë në Bosnje nuk mund ta bëj.

Unë e zgjodha jetën.

/Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Bardi i Bruklinit

Bardi i Bruklinit

Kulture
Kush i nëmi “Bjeshkët e Nemuna”?

Kush i nëmi “Bjeshkët e Nemuna”?

Kulture
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
KREDO

KREDO

Poezi
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Viti 1979: Jetë, o jetë...

Viti 1979: Jetë, o jetë...

Agron Shala
Kalo në kategori