Veprat më të rënda të kryera në rrethana veçanërisht rënduese, ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda, konsiderohen si veprat më të rënda kriminale, për të cilat pason dënimi maksimal – burgim i përjetshëm, dënim ky i bazuar në Nenin 44 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).
Që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal, më 1 janar 2013 e deri më sot, janë shqiptuar tre dënime me burgim të përjetshëm, në Kosovë. Dënimet janë shqiptuar nga tri Gjykata në Kosovë, Gjykata Themelore në Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë.
Kështu ka thënë për Telegrafin zëdhënësja e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK), Ajshe Qorraj.
Ajo tha se rasti i parë është shënuar në vitin 2015 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa rastet e tjera janë shënuar këtë vit në Pejë dhe Gjakovë.
“Në Gjykatën Themelore Prishtinë, në vitin 2015 është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm për dy (2) persona, me vepër penale vrasje e rëndë, ndërsa Gjykata e Apelit ka zbutur dënimin e shkallës së parë. Në Gjykatën Themelore Pejë, në vitin 2019 është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm për një (1) person, me vepër penale vrasje e rëndë. Pritet afati i ankesës. Gjithashtu, kemi dhe një rast në Gjykatën Themelore Gjakovë, ku Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke e ashpërsuar në dënim me burgim të përjetshëm për një (1) person me vepër penale vrasje e rëndë”, ka thënë Qorraj.
Edhe zyrtari për informim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, Florent Gashi për Telegrafin ka thënë se në qendrat korrektuese të Kosovës, dënimin me burg të përjetshëm po e vuajnë tre persona.
“Nga tre të dënuarit, dy persona janë dënuar me vendim të plotfuqishëm nga gjykata dhe një me vendim të shkallës së parë. Tre të dënuarit janë të vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL), dhe po vuajnë dënimin për veprën penale ‘vrasje e rëndë’”, ka thënë Gashi.
Në lidhje me këtë çështje foli edhe profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Azem Hajdari, i cili tha se këto vepra penale në tërësi janë në përputhje me shkallën e rrezikimit të vlerave të mbrojtura (jetës, shëndetit, pasurisë, rendit kushtetues etj), por edhe në akordancë me kodet penale të vendeve tjera të Evropës dhe më gjerë.
“Deri me tash, dënimi me burgim të përjetshëm në Kosovë është shqiptuar në tri raste – rasti Ndrecaj, të cilit një dënim i tillë i është shqiptuar për vrasje të gruas dhe bijës së tij. Rasti Pajazitaj për dhunimin dhe vrasjen e kushërirës së tij dhe rasti i tretë për një vrasje në komunën e Obiliqit. Kjo do të thotë se për raste të tjera të vrasjeve të rënda dhe vepra terroriste gjykatat e Kosovës nuk kanë shqiptuar ndonjë dënim të tillë. Siç rezulton, ka rast të shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm, por vetëm për tri çështje penale”, ka thënë Hajdari.
I pyetur se a ndjehen të rrezikuar prokurorët për të kërkuar shqiptimin e dënimeve të tilla nga gjykatat, ai tha se Prokurorët e shtetit konform legjislacionit në fuqi janë të pavarur në punën e tyre dhe të mbrojtur me ligj.
“Në praktikë prokurorët zakonisht kërkojnë dënime në përputhje me zgjidhjet ligjore dhe rrethanat që e karakterizojnë rastin (që do të thotë se në shumë raste ata kërkojnë dënimet më të rënda për kryerësit e vrasjeve të rënda dhe veprave terroriste), por që vendimmarrja në lidhje me shqiptimin e dënimeve u takon gjykatave, gjë që ato jo gjithherë janë të niveleve që i pranon opinioni publik. Sa e kam të njohur, përveç rastit të ish Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, opinioni publik dhe profesional nuk ka të dhëna të publikuara të kërcënimit të prokurorëve, që ndërlidhen me rastet tjera penale. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë raste të kërcënimeve individuale nga zyrtarë shtetëror apo qytetarë të rëndomtë. Për këtë fakt (nëse ka) duhet të deklarohet institucioni i Prokurorisë së Shtetit dhe individualisht vetë prokurorët që eventualisht mund të jenë kërcënuar në lidhje me punën e tyre”, tha ai.
Ndërsa, zyrtarja e Lartë për Integrime Evropiane nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Margarita Gjocaj, tha për Telegrafin se në sistemin prokurorial ka pasur raste të kërcënimeve ndaj prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Sipas saj, ka edhe persona që janë arrestuar për shkak të kërcënimeve ndaj prokurorëve.
“Në sistemin prokurorial kemi edhe prokurorë të cilët kanë kërkuar mbrojtje të afërt dhe iu është siguruar nga Policia e Kosovës”, ka thënë ajo.
Mirëpo, se a ka unifikim të politikës ndëshkimore në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës, Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), për Telegrafin tha se “Sa i përket shqyrtimit të rasteve në kuptim të politikës ndëshkimore në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës, të gjeturat e IKD-së janë se brenda sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës nuk ka një konsistencë dhe një unifikim të politikës ndëshkimore”.
Siç u shpreh Shala, kjo ndodh për tre arsye: Nuk janë të përcaktuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës mbi çështjen e dënimit (qëllimet e dënimit, parimet e dënimit dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese), gjykata e Apelit si gjykatë e cila duhet të unifikojë këto praktika nuk e luan rolin e vetë, si dhe mosfunksionimi i mekanizmave të vetëkontrollit brenda sistemit gjyqësor.
Telegrafi më poshtë ju sjell tri rastet e dënimit me burg të përjetshëm nga Gjykatat në Kosovë:
Vrasje makabre në Obiliq
Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti, janë të dënuarit me burgim të përjetshëm, pasi më datën 12.10.2014 kanë kryer vrasjen makabre të Mevludin Ajdinoviqin, 24 vjeç nga Novi Pazari, në Obiliq.
Në vrasje ishte e infiltruar edhe e mitura, Festina C. 16 vjeçare e cila po ashtu ka marr dënimin me 9 vite e 10 muaj burg.
Mirëpo, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës së Apelit, në vitin 2016 ndryshoi dënimin me burgim të përjetshëm të shqiptuar ndaj dy të akuzuarve, Emin Krasniqi e Astrit Mehmeti, të cilët ishin dënuar më 11 shtator 2015 për vrasjen e Melvin Ajdinoviqit në Strofc të Obiliqit. Kolegji në fjalë vendosi që për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, nga neni 179 par.1 nën par.1.4 dhe 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarin e parë ta gjykojë me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 25 vjetësh, ndërsa të dytin me 22 vjet burgim. Ankesa e mbrojtësit të të miturës F.C. u refuzua si e pabazuar.
Vrasje dinakërie në Pejë, rasti i Donjeta Pajazitaj
Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasje ‘dinake’ të Donjeta Pajazitaj, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Pejës.
Pajazitaj akuzohej se në mënyrë ‘dinake’ e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn e cila ishte duke shkuar në punë.
Vrau gruan dhe vajzën në Gjakovë
Pjetër Nrecaj, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij 9 vjeçare. Vrasja pati ndodhur vitin e kaluar në shtëpinë e vëllezërve të Valbona Nrecajt, ku ajo ishte strehuar bashkë me fëmijët e saj pas problemeve që kishte pasur me bashkëshortin. Gjykata e Apelit në Gjakovë, shpalli dënim me burgim të përjetshëm ndaj, Nrecajt.
Mirëpo, kolegji i Gjykatës Supreme, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Pjetër Ndrecajt, nga Gjakova, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rivendosje.
- Përditësim: Me 14 shtator 2020 Nrecaj i është ulur dënimi, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi me 24 vjet e gjashtë muaj burg.
Ndryshe, dënimi me burgim të përjetshëm është i sanksionuar si dënim në sistemin juridik të Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal më 1 janar 2013, i cili dënim edhe e ka zëvendësuar dënimin me burgim afatgjatë (20 deri në 40 vite burgim) që ka qenë në Kodin e Përkohshëm Penal. Në Kodin Penal të Kosovës (KPK), neni 44 pika, në ligjin me burgim të përjetshëm thuhet:
“1. Ligji mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale të kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.
2. Ligji nuk mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm si të vetmin dënim kryesor për një vepër të veçantë penale.
3. Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushur njëzetenjë (21) vjet ose personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAhmeti: Akuzat e Qeverisë ndaj Prokurorisë Speciale janë skandaloze
Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan
Haziri: LDK-ja nuk e pranon draft-statutin e Asociacionit
Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje
Haziri: Në Vetëvendosje janë të pakënaqurit e PDK-së
Sonte tërmet në Maqedoni
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit