LAJMI I FUNDIT:

Këto janë rezultatet e partive në tri palë zgjedhje radhazi

Këto janë rezultatet e partive në tri palë zgjedhje radhazi

Zgjedhjet e 6 tetorit kanë shënuar kthesë të madhe për Kosovën. Ndryshe nga herët e kaluara, kur konstantja e qeverisë ishte Partia Demokratike e Kosovës, ky subjekt tashmë ka shkuar në opozitë. Ndërsa është opozita Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që kanë shënuar fitore.

Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin kryeson zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të mbajtura dje, 6 tetor, me 25.60 për qind, duke lënë pas, pas një gare të ngushtë, LDK-në me 24.90 për qind të votave.

Vetëvendosje në vitin 2017 kishte arritur të sigurojë 27.49 për qind të votave ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25.53 për qind. E para, LVV në zgjedhjet e vitit 2014 kishte arritur të sigurojë vetëm 13.59 për qind apo 99 mijë e 298 vota, kurse LDK 25.24 për qind apo 184.594 vota.

Ajo që bie në sy është se Lëvizja Vetëvendosje nuk u dëmtua nga ndarja që pësoi nga një pjesë e saj, PSD-ja, duke qëndruar në një rezultat të përafërt në dy palë zgjedhjet e fundit.

Në anën tjetër, PDK-AAK-Nisma që në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 dolën fituese si koalicioni PAN me 33.74 për qind të votave, këtë herë kanë shënuar rënie.

PDK, e cila në këto zgjedhje është renditur e treta, ka arritur të marrë 21.05 për qind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 pati arritur të marrë 30.38 apo 222.181 vota. Ndërsa AAK e cila në këto zgjedhje hyri në garë në koalicion me PSD, së bashku morën 11.53 për qind të votave, kurse në vitin 2014 kur edhe garoi e vetme, AAK kishte arritur të sigurojë vetëm 9.54 për qind apo 69 mijë e 793 vota.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje garoi si koalicion NISMA-AKR-PD sipas rezultateve të deritashme nuk ka arritur të kalojë pragun, duke siguruar vetëm 4.88 për qind apo 38 mijë e 55 vota. Kjo e fundit më mirë ishte në zgjedhjet e vitit 2014, kur kishte siguruar 37 mijë e 680 vota apo 5.15 për qind.

Në anën tjetër, 6.72 për qind të votave ka siguruar Lista Serbe, duke shënuar rritje nga zgjedhjet e kaluara. LS, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pati siguruar 6.11 për qind të votave apo 44 mijë e 499 vota, duke tejkaluar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014, kur kishte grumbulluar 5.22 për qind të votave.

Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tash ka numëruar 97.37 për qind të votave, ndërsa në proces të numërimit janë edhe 2.63 për qind.

Kujtojmë se në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk janë numëruar votat me kusht, ato të diasporës dhe personave me aftësi të kufizuara. /KP/