Këtë të shtunë do të promovohet në Cyrih libri i Mira Kazhanit - një rrëfim i guximit, mbijetesës dhe shpresës

Një ngjarje e veçantë kulturore dhe njerëzore pritet të mbahet në Cyrih më 29 nëntor 2025, ku do të promovohet libri i autores shqiptare Mira Kazhani, një rrëfim i thellë dhe i sinqertë mbi përballjen e saj me kancerin në gji.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari dhe analisti Enver Robelli përmes një postimi në Facebook, ku ka ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë.
Sipas Robellit, libri tashmë është shndërruar në bestseller brenda pak javësh nga botimi, duke prekur lexues në mbarë diasporën falë transparencës emocionale, forcës shpirtërore dhe mesazhit të fuqishëm që përcjell.
Kazhani, e cila ka kaluar një betejë të vështirë shëndetësore, ndan në këtë libër historinë e saj personale të mbijetesës, duke theksuar rëndësinë jetike të diagnostikimit të hershëm dhe të përballjes me guxim me sfidat më të rënda të jetës.
Promovimi organizohet nga Shtëpia Botuese “Dora D’Istria” në Zürich dhe swissalbs Women, ndërsa ngjarja do të zhvillohet në ambientet e Soho, në Hardstrasse 260, Zürich.
Të pranishmit do të kenë mundësinë të dëgjojnë nga afër autoren dhe të njohin më shumë për rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm, i cili tashmë po shërben si burim frymëzimi për shumë njerëz.
Organizatorët ftojnë komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë që ta ndajnë këtë njoftim dhe të marrin pjesë në një mbrëmje ku libri, kurajoja dhe solidariteti bashkohen në një mesazh të vetëm: shpresa është e pathyeshme. /Telegrafi/



























































